ShBA dhe Britania mirëpresin transformimin e FSK-së, Franca kundër

Përfaqësuesja e Mbretërisë së Bashkuar në Këshillin e Sigurimit të OKB-së ka thënë se krijimi i Ushtrisë së Kosovës nuk është në kundërshtim me rezolutën 1244 dhe me pakon e Ahtisaarit

“Krijimi i forcave të armatosura është një akt sovran i shtetit të Kosovës, dhe e mbështes këtë akt. Rezoluta 1244 nuk përmban asgjë që e përjashton transformimin e mëtejmë të FSK-së, dhe as korniza kushtetuese dhe as Pakoja e Ahtisaarit nuk e përjashton transformimin e FSK-së”, ka thënë ajo.

“Apelojmë tek institucionet e Kosovës që të sillen në mënyrë të përgjegjshme. I mirëpres deklaratat e presidentit Thaçi, ndërsa deklarime se Ushtria e Kosovës paraqet rrezik për minoritet nuk qëndrojnë. Ne nuk mendojmë së zgjerimi i mandatit të FSK-së do të jetë një kërcënim dhe mendoj se deklarata të tilla janë të paqëndrueshme”, tha ajo.

Lidhur me transformimin e FSK-së në Ushtri, Kosova në mbledhjen e KS të OKB-së ka marrë mbështetje të fuqishme nga Shtetet e Bashkuara.

Sipas përfaqësuesit të ShBA-së Jonathan Cohen rezoluta 1244 ka qenë për demilitarizimin e UÇK-së dhe jo për FSK-në.

“ShBA rikonfirmon mbështetjen e saj për një forcë në bazuar në NATO. Formimi i Ushtrisë është në përputhje me rezolutën 1244. Dispozitat e kësaj rezolute nuk janë për FSK-në por kanë qenë vetëm për demitalirizimin e UÇK-së. Kjo forcë është shumetinke dhe në përputhje me të gjitha standardet”, ka thënë përfaqësuesi i ShBA-ve në këtë mbledhje, Jonathan Cohen.

Ndërsa, ambasadori i Francës në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, François Delattre, ka thënë që vendimi për Ushtri nuk është marrë në kohën e duhur.

Ai po ashtu ka deklaruar se Kosova projektligjet i ka votuar pa u konsultuar me NATO-n.

“Kosova e ka të drejtën për formimin e ushtrisë së saj por nuk e kanë bërë në kohën e duhur. Këto projektligje kanë kaluar pa konsultim me NATO-n dhe pa ndryshime kushtetuese. Po ashtu edhe shkuarja në veri  mund të ndodh vetëm nëse paraprakisht është marrë leje nga KFOR-i”, ka thënë ai.

Ai u ka bërë thirrje dy presidentëve atij të Kosovës Hashim Thaçi dhe atij të Serbisë Aleksandër Vuçiq që të vazhdojnë dialogun me qëllim të normalizimit të raporteve mes dy vendeve.

Ambasadori rus: Formimi i Ushtrisë shkelje e rezolutës 1244

Ndërsa, përfaqësuesi i përhershëm i Rusisë në OKB, Vasili Nebenzja vendimin e Kosovës për formimin e Ushtrisë e ka quajtur shkelje të rezolutës 1244 duke e cilësuar si një rrezik të ri për vendet e rajonit.

“Formimi i Ushtrisë së Kosovës është shkelje e rezolutës 1244. Tani u shtua një rrezik i ri në rajon”, ka thënë ai.

Sipas tij, refuzimi i Prishtinës për zbatimin e marrëveshjeve të arritura e ka thelluar edhe më shumë krizën në mes këtyre dy vende.

“Gjithmonë kemi theksuar që gjendja në rajon nuk është në nivel të duhur dhe mund të dalë nga kontrolli në çdo moment. Refuzimi i Prishtinës gjatë pesë viteve të kaluara për marrëveshjet me Serbinë ka rritur intensitetin e këtyre shkeljeve”, ka thënë ai.