Dhoma e mbledhjes së Këshillit të Sigurimit të OKB-së

ShBA dhe Britania kërkojnë pranimin e Policisë së Kosovës në INTERPOL

Shtetet e Bashkuara dhe Britania e Madhe kanë kërkuar nga vendet e OKB-së që të votojnë pro Policisë së Kosovës që të bëhet pjesë e INTERPOL-it.

Në mbledhjen e sotme të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara rreth raportit të shefit të UNMIK-ut për gjendjen në Kosovë, përfaqësuesja e Mbretërisë së Bashkuar tha se Kosova për dallim nga para dy dekadave ka shkuar shumë larg përpara.

Si shembull më të mirë për këtë ajo përmendi Policinë e Kosovës.

Prandaj, përfaqësuesja e Britanisë kërkoi që Policia e Kosovës të pranohet në INTERPOL gjatë mbledhjes së Asamblesë së Përgjithshme të kësaj organizate që mbahet javën tjetër.

Sipas përfaqësueses së Britanisë, anëtarësimi i Kosovës në INTERPOL do të kontribuonte në luftimin e krimit jo vetëm në Kosovë por edhe në rajon e në botë. “Kjo do të ishte e mirë edhe për vetë Serbinë“, tha ajo,

Ndërsa, përfaqësuesi i Shteteve të Bashkuara në Këshillin e Sigurimit të OKB-së u bëri thirrje vendeve që nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës që ta bëjnë këtë.

Ai, po ashtu, u bëri thirrje anëtarëve të INTERPOL-it që ta pranojnë edhe Kosovën në këtë organizatë.

“Policia e Kosovës në INTERPOL do të mundësojë veprime të shtuara drejt paqes dhe stabilitetit”, theksoi ai.

Gjithashtu, përfaqësuesi i Shteteve të Bashkuara tha se vendi i tij inkurajon Kosovën dhe Serbinë në arritjen e një marrëveshjeje afatgjatë, e cila do të rezultonte me normalizimin e raporteve dhe njohjen reciproke.

Sa i përket UNMIK-ut, zyrtari amerikan tha se ky mision ka përmbushur detyrat dhe duhet të tërhiqet.