Policia në veri - 28.05.2019. Foto: Kallxo.com

SHBA: Aksioni në veri, përpjekje për ta luftuar korrupsionin dhe forcuar sundimin e ligjit

Shtetet e Bashkuara të Amerikës e kanë mirëpritur aksionin e Policisë së Kosovës në kundër kontrabandës dhe krimit të organizuar në disa pjesë të Kosovës, përfshirë edhe në veri, të zhvilluar këtë të martë.

Në një deklaratë të lexuar të enjten në sesionin e rregullt të Këshillit të Përhershëm të OSBE-së në Vjenë, Lane D. Bahl nga Delegacioni i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në OSBE, e përshkroi aksionin e 28 majit në veri të Kosovës si përpjekje të autoriteteve të vendit për ta luftuar kontrabandën dhe krimin e organizuar.

“Shtetet e Bashkuara i duartrokasin përpjekjeve për zbatimin e ligjit nga qeveria e Kosovës për ta luftuar korrupsionin dhe forcuar sundimin e ligjit. Aksioni i Policisë së Kosovës më 28 maj ishte një përpjekje për ta bërë pikërisht këtë. Autoritetet arrestuan individë të dyshuar për përfshirje në kontrabandë dhe krim të organizuar”, tha Bahl.

Ai gjithashtu hodhi poshtë pretendimet se aksioni ka qenë i drejtuar ndaj serbëve të veriut të Kosovës.

“Policia arrestoi të dyshuar për u përkasin grupeve të ndryshme etnike. Operacioni u zhvillua në disa lokacione në Kosovë, jo vetëm në veri”, tha Bahl.

“Ne gjithashtu e kuptojmë se Policia arrestoi dhe liroi një zyrtar rus të UNMIK-ut. Policia e Kosovës është duke e hetuar incidentin”, shtoi Bahl.

“Ne i inkurajojmë të gjitha palët që ta shmangin çdo veprim që do të mund të eskalonte në tensione. Të gjitha palët duhet të demonstrojnë profesionalizëm dhe përmbajtje”, tha Bahl.

Operacioni policor në ndjekje të një rrjeti të kontrabandës përfshiu katër komunat e veriut të Kosovës dhe disa në jug. Gjatë operacionit janë arrestuar 19 pjesëtarë të Policisë së Kosovës si dhe disa qytetarë të cilët ishin përpjekur ta ndalonin policinë në kryerjen e detyrave.

https://kallxo.com/arrestime-plagosje-e-barrikada-nga-aksioni-i-sotem-i-policise-se-kosoves/