Hasan Shala, kryetar i Gjykatës së Apelit. Foto: Kallxo.com

Shala: Prokurorët të Mos Vrapojnë pas Numrave, Por Pas Cilësisë

Barrën kryesore për aktgjykimet liruese nga ana e gjykatave të të akuzuarave për vepra të korrupsionit e kanë prokurorët, ka deklaruar kryetari i Gjykatës së Apelit, Hasan Shala.

Ai për emisionin “Drejtësia në Kosovë” ka thënë se gjyqtarët nuk mund të japin dënime pa pasur prova se të akuzuarit kanë kryer veprat që ua ka ngarkuar prokuroria.

Shala ka thënë se është koha që prokurorët të mos vrapojnë vetëm pas numrave për të plotësuar normën, por të ofrojnë punë cilësore. Pasi, sipas tij, vetëm me aktakuza cilësore mund të arrihet deri tek aktgjykimet dënuese për ata që kanë kryer vepra të korrupsionit.

Shaka ka thënë se në rastet kur vërtetohet fajësia e të akuzuarve për vepra të korrupsionit, nuk ka logjikë që të shqiptohen dënime alternative, si me kusht, apo me gjobë.

“Barra më e madhe për dështimin e lëndëve të korrupsionit bie mbi prokurorin, është ai që duhet ta argumentojë akuzën. Nëse një akuzë është refuzuar në shkallën e parë, dhe në shkallë të dytë i refuzohet, atëherë dihet përgjegjësia i mbetet prokurorit, pasi nuk ka qenë në gjendje me e argumentu akuzën e parashtruar në gjykatë”, ka thënë kryetari Hasan Shala.

Ai ka thënë se përgjegjësia e gjykatës është vetëm te zvarritja e procedurave te lëndët e korrupsionit, por jo edhe te cilësia e aktakuzave.

Siç transmetoi “Drejtësia në Kosovë”, të dhënave zyrtare në të gjitha gjykatat themelore tregojnë se në punë janë 498 lëndë, me 1131 persona të akuzuar për vepra që ndërlidhen me korrupsionin. Nga gjitha këto lëndë, 162 janë pranuar vetëm gjatë vitit 2017, 194 lëndë janë zgjidhur gjatë këtij viti.

Të dhënat e siguruar nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës, tregojnë se nga 194 lëndët e zgjidhura gjatë vitit 2017, në 26 raste janë shqiptuar dënime me burgim, në 45 raste janë dhënë dënime me gjobë, 40 prej  tyre dënime me kushte, 32 raste kanë përfunduar me aktgjykime liruese, 13 lëndë me aktgjykime refuzuese.

Kurse tetë lëndë të korrupsionit kanë për shkak të vjetërsimit kanë arritur parashkrimin absolut. Për 28 raste të korrupsionit të dhënat janë të paqarta se carë vendimesh janë marrë nga ana e gjykatave dy lëndë janë dërguar nga një gjykatë në tjetrën për shkak të kompetencës. Pra në gjykata aktualisht janë në punë edhe 304 lëndë të korrupsionit të pazgjidhura.

Deklaratën e kryetarit të Gjykatës së Apelit mund ta ndiqni në linkun e mëposhtëm: