Raporti i Monitorimit të Gjykatave - 23.05.2019

Shala: Nuk mund të vlerësohet i gjithë sistemi me një apo dy lëndë që i prish Supremja

Kryetari i Gjykatës së Apelit Hasan Shala, ka deklaruar të enjten se luftën nga korrupsionit nuk e sheh të humbur, por ka theksuar se ka ende shumë punë për t`u bërë.

Këto deklarata Shala i bëri në konferencën e BIRN dhe Internews Kosova ku u prezantuan gjetjet e Raportit Vjetor të Monitorimit të Gjykatave për vitin 2018.

“Në asnjë rast dhe në asnjë rrethanë nuk do ta kisha quajtur luftën ndaj korrupsionit si të humbur. Gjithë këto aktakuza tregojnë që beteja nuk është humbur. Natyrisht se gjërat duhet të jenë më mirë por nuk mund të themi se nuk kemi bërë asgjë. Janë tri elemente që ne si institucione duhet t`i përmbushim: Profesionalizmi, vullneti më i madh dhe bashkërendimi institucional. Nëse ndonjëra prej këtyre hallkave dështon atëherë dështon krejt lufta jonë”, tha Shala.

Ai shtoi se  duhet vullnet më i madh.

“Si gjyqtar, si prokuror, si polic duhet të dëshmojmë më shumë gatishmëri. Korrupsionin mund ta luftojnë vetëm njerëzit me integritet të lartë moral. Pranimi gabimit është hapi i parë për përmirësim, në të kundërtën do të vazhdojmë të gabojmë. Në Gjykatën e Apelit në departamentin penal lëndët nuk presin më shumë se 5-6 muaj kjo fal angazhimit të gjyqtarëve”, tha ai.

Shala deklaroi se: “Për mua shqetësim është edhe nëse një lëndë prishet por nuk mund të vlerësohet puna e tërë sistemit për një apo dy lëndë që prishen. Kisha lut edhe Gjykatën Supreme që kur prish lëndë të jep rekomandime pak më konkrete”, deklaroi kryetari i Apelit Hasan Shala.

Ndryshe, Rrjeti Ballkanik për Gazetari Hulumtuese (BIRN) dhe Internews Kosova publikuan Raportin Vjetor të Monitorimit të Gjykatave për vitin 2018.

Ky raport fokus të veçantë ka rastet e shënjestruara për liberalizim të vizave dhe rastet korrupsionit të monitoruara gjatë vitit 2018, por gjithashtu trajton problemet e tjera të trashëguara, të vëzhguara gjatë punës së monitoruesve në teren.

Për më shumë, raporti thekson mungesën e efikasitetit në trajtimin e rasteve të shënjestruara për liberalizim të vizave, neglizhencën në trajtimin e rasteve të korrupsionit, dështimin për ta goditur krimin përmes konfiskimit të pasurisë si dhe shkeljet procedurale nga gjykatësit, prokurorët dhe palë tjera në procedurë gjyqësore të hasura nga monitoruesit tanë gjatë monitorimit të gjykatave në nivel të Republikës së Kosovës.