Foto: Kallxo.com

Sfidat e vendit në zbatimin e energjisë së ripërtëritshme

Është mbajtur sot tryeza e rrumbullakët në lidhje me studimin “Kalimi në të ripërtëritshme – Drejt një të ardhme energjetike të begatshme dhe të qëndrueshme në Kosovë” e organizuar nga Balkan Green Foundation dhe Germanwatch ku morën pjesë përfaqësues të Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik dhe shumë përfaqësues të bizneseve private dhe specialist të ekonomisë.

Drejtori Ekzekutiv i BGF, Visar Azemi, u shpreh se Kosova ka një rrugë te gjatë drejt përqafimit të konceptit të tranzicionit te energjisë në tërësi, por gjithsesi përvojat e vendeve Evropiane dhe më specifikisht koncepti Gjerman ‘Energiewende’ do të përdoret si referencë për mbështetjen e tranzicionit të energjisë në Kosovë.

“Projekti përmes qasjes së saj të bazuar në dialog ka për qëllim të adresoj faktorët ë rëndësishëm për të siguruar zhvillim të qëndrueshëm ekonomik dhe enenrgji të pastër e të përballueshme për të gjithë. Studimi i derivuar nga ky projekt, shpalosë kahjen drejt një të ardhmë të qëndrueshme të energjisë në Kosovë, duke adresuar sfidat dhe zgjidhjet e mundshme. Por gjithsesi, është me rëndësi aplikimi i politikave dhe vendimmarrjes së duhur nga Institucionet relevante drejt një sistemi të energjisë me karbon të ulët, një udhëtim që filloi me nënshkrimin e traktatit të Komunitetit të Energjisë,” tha Azemi.

Në anën tjetër, Martin Schön-Chanishvili nga Germanwatch theksoi se “studimi paraqet benefitet e rëndësishme që Republika e Kosovës do t’i kishte nëse e konsideron më seriozisht kalimin në energji të ripërtëritshme. Kosova mund të mbështetet në përvojat e shteteve të tjera si Gjermania për energji të pastër, pajtueshmërinë me legjislacionin e BE-së, krijimin e vendeve të reja të punës, dhe shtytjen e ngritjes ekonomike”.

“Kjo do të thotë se përparësi politike dhe teknike duhet të i jipet gjenerimit të energjisë së ripërtëritshme. Konkretisht, ekspertët tanë kanë theksuar se hapat kryesor janë përmirësimi i kushteve për investitorët, përmirësimi i skemave mbështetëse, zhvillimi i rrjetit dhe integrimi rajonal. Për t’i adresuar këto sfida së bashku, ne jemi të interesuar të ndajmë përvojat e Gjermanisë në mbështetje të autoriteteve kosovare për t’i hartuar zgjedhjet e tyre.”

Njëri ndër autorët e punimit, Martin Kittel prezantoi gjetjet, sfidat dhe rekomandimet, të cilat u tha se do të ndihmojnë në krijimin e energjisë së ripërtëritshme deri në vitin 2020 në Kosovë. Ai mes tjerash tha se Kosova nuk ka shumë mundësi për krijimin e energjisë së ripërtëritshme për shkak të pozitës së saj gjeografike.

“Kosova nuk mund të zhvillojë treg të përshtatshëm për energji të ripërtërishme pa përkrahjen e vendeve të Ballkanit, gjë që është në interesin politik të shtetit të përafrohet me Bashkimin Evropian”, tha Kittel.

Sipas tij, Kosova ka strategji ambicioze të zhvillimit të energjisë, rreth 30 për qind e energjisë deri në vitin 2020 parashihet të krijohet nëse implementohen mundësitë për energji të ripërtëritshme dhe rreth 9 përqind pritet shfrytëzim efiçient i energjisë.

Kittel shtoi se problem për Kosovën mbetet fakti që vendi ka kapacitet të ulët për energji të erës dhe asaj diellore për shkak të kushteve klimatike.

“Gjithashtu implementimi i energjisë së ripërtëritshme ka edhe sfidat teknike sepse në Kosovë rreth 95- 97 për qind e energjisë krijohet nga thëngjilli dhe pjesa tjetër nga energjia mikse”, tha Martin Kittel.

Arbnor Kastrati nga Shoqata për Energji të Ripërtëritshme tha se Kosova po përballet me problemie në legjislacion për implemetimin e projekteve në përgjithësi e sidomos të asaj me energji të ripërtëritshme.

“Kosova po mundohet të fusë në treg diçka më të avancuar dhe më të vështirë në financim, e cila kalon po ashtu në gryka të ngushta në legjislacion për implementim të energjisë së ripërtëritshme. Ne kemi filluar të investojmë  që nga viti 2002 dhe nëse prej atëherë do të ishim më agresiv, sot do të ishim pjesë e tregut me energji të ripërtëritshme”, tha Kastrati.

Shkumbin Asllani, këshilltari ligjor i ministrit të Zhvillimit Ekonomik, tha se ministria e ka rregulluar tashmë problemin e licencimit të projekteve.

“Licencat nuk do të kalojnë më periudhën një vjeçare deri në zhvillim të projektit”, tha Asllani.

Kryetari i Shoqatës “Konsumatori”, Selatin Kaçaniku tha se energjia e ripërtëritshme duhet të jetë e përballueshme për xhepat e konsumatorëve dhe gjithashtu duhet ta parashohë edhe mbrojtjen e mjedisit.

“Kërkesat e konsumatorëve dhe konsultimi me “të mëdhenjtë” përfundon aty ku përfundon vota jonë si taksapagues të Kosovës. Implementimi i të tilla projekteve tregon çmime të papërballueshme për xhepin e taksapaguesve, e cila i kalon edhe standardet e Gjermanisë”, tha Kaçaniku.

Pjesëmarrësit mbetën optimistë se do të krijohet një klimë e përshtatshme për veprim dhe implementim të projekteve në të mirë të qytetarëve.