Mbledhja e Komisionit për Shëndetësi | Foto: KALLXO.com

Sfidat e Mjekësisë nëpër Komuna Tregohen në Prishtinë

Anëtarët e Komisionit për Shëndetësi, Punë dhe Mirëqenie Sociale u takuan sot me  përfaqësues të sistemit primar shëndetësor nga disa komuna të Kosovës.

Disa drejtorë të drejtorive të shëndetësisë dhe disa udhëheqës të qendrave kryesore të mjekësve familjare paraqiten para komisionit sfidat e këtij sistemi në komunat e tyre.

Basri Komoni, drejtor i Shëndetësisë në Komunën e Gjakovës tha se mjekët në zonat e thella të kësaj komune po përballen me mungesë barnash gjatë intervenimeve.

“Në një fshat, në një lagje, pacientët lypin një çantë të mjekut të furnizuar. Një rast konkret është një fshat afër kufirit, Damjan. Në vitin 2002 rruga për me shku atje ka qenë 1 orë e 45 minuta, për shkak se nuk e kam pasur një bar kundër alergjisë një fëmijë ka ardhë dy herë më i rrezikuar për jetë”, tha Komoni.

Sipas Komonit, 85 për qind e buxhetit shfrytëzohet për paga, ndërsa 15 për qind për mallra dhe shërbime.

Komoni tha se duhet të ketë efektivitet të shërbimeve shëndetësore.

Drejtori i Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare në Pejë Hekuran Tigani u ankua se në këtë komunë nuk po funksionon Sistemi Informativ Shëndetësor.

“E kemi pa që një pacient ka hapw tri kartela shëndetësore dhe nuk është e përmbledhur gjithë historia mjekësore në një kartelë të vetme”, tha ai.

Sipas Tiganit, problem tjetër janë edhe punët që ata i kryejnë por që u takojnë nivelit sekondar për shembull shërbimi specialistik stomatologjik dhe bartja e personave në hemodializë, gjë që sipas tij duhet të bëhet nga vetë institucioni që e jep shërbimin.

Të pranishëm ishin edhe përfaqësues të sistemit primar shëndetësor nga komuna e Ferizajt dhe Prizrenit problemet ishin përafërsisht të njëjta për të gjitha komunat .

Deputetja nga radhët e Lëvizjes “Vetëvendosje” Besa Baftiu tha se qendrat e mjekësisë familjare në Prizren ofrojnë edhe shërbime gjinekologjike e radiologjike, të cilat shërbime sipas saj nuk kryhen në qendrat e komunave tjera.

Ajo propozoi një debat publik për standardizimin e ofrimit të shërbimeve në qendrat e mjekësisë familjare.

“Unë po mendoj që ne si deputetë dhe ju si drejtorë të bëjmë një dëgjim publik dhe me ekspertë të këtij lëmi dhe pasi që ta përfundojmë monitorimin e Ligjit për Shëndetësi kish qenë mirë që së paku për këto nenet diskutabile për nivelin primar të takohemi edhe njëherë të gjithë dhe me ekspertë dhe të dalë një përfundim dhe pastaj të shohim çka mund të bëjmë ne si deputetë”, tha Baftiu.

Ndërsa deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës Ali Berisha tha se mjekësia familjare nuk ka alternativë.

“Edhe në aspektin legal, edhe në aspektin financiar, qoftë nga nivelet lokale apo qendrore nuk janë maksimalisht të fokusuar. Jo vetëm nga ju, edhe nga të tjerët është potencuar nevoja e mbështetjes më e madhe financiare për sistemin primar”, tha Berisha.

Të pranishmit kërkuan që anëtarët e Komisionit për Shëndetësi të merren me problemet që u përmendën në mbledhjen e sotme.

Të gjitha ato që ndodhën në shëndetësi vitin e kaluar, KALLXO.com i përmblodhi në një shkrim.

Viti i Sëmurë