Sfidat e kapitenes për 10 vjet në Njësinë Speciale

Për 20 vite si pjesëtare e Policisë së Kosovës, kapitene Sanije Kçiku tregon se ka kaluar në shumë sfida dhe vështirësi, por asnjëra prej tyre nuk e ka bërë që një herë të vetme të heq dorë nga Policia e Kosovës.

Në një intervistë për KALLXO.com, kapitenia Kçiku, e cila tani është komandante për trafikun rajonal në Gjilan, ka treguar për pozitat që ka pasur ajo në Policinë e Kosovës gjatë këtyre 20 viteve.

“Unë e kam filluar punën në Policinë e Kosovës që nga viti 2000, pozitat e mija kanë qenë të ndryshme, si fillim në njësi patrulluese, pastaj në viti 2001 jam graduar në gradën e rreshterit menaxhimi i vijës së parë, edhe në vitin 2013 ku jam graduar me gradën e togerit, pastaj tani në gradën e kapitenit, në 2019 në këtë pozitë ku jam sot”, tregon Kçiku.

Kçiku tregon, se që nga fillimi i karrierës së saj në Policinë e Kosovës ka synuar të arrijë në pozita të larta, pasi që punën si pjesëtare e Policisë së Kosovës e bënë me plot vullnet.

“Të ju them të drejtën po kam pasur ambicie prej fillim që kam hy se normal një punë kur e bën me dëshirë dhe me vullnet, me vet motiv, kam qenë e vet motivuar dhe kam besuar që do të ja arrij së paku deri në menaxhimin e mesëm ku jam sot por po shpresoj që edhe më lart pse jo”, tregon Kçiku.

Kapitenia në intervistë ka treguar edhe për arsyen pse ka vendosur që të bëhet pjesë e Policisë së Kosovës, ku ka folur për dëshirën e saj për të veshur uniformën e policisë.

“Si fillim kuptohet viti 2000 edhe dëshira e secilit për uniformën e shtetit ku jeton dhe vepron, unë personalisht e kam dashur uniformën, shumë e kam dashtë, si karakter kam qenë që të vihet drejtësia në vend dhe ndoshta kjo ka qenë arsyeja që  kam dashtë gjithmonë t’i  shërbej vendit e sidomos uniformës”, tregon Kçiku.

Kçiku rrëfen edhe për përvojën e saj si grua në stacionin e policisë në Gjilan, ku thotë se në vendin e saj të punës nuk ka pasur dallime në je grua apo burrë, pasi që mbështetja për të gjithë ka qenë e njëjtë.

“Ta them të drejtën dhe shumë sinqerisht unë nuk kisha pas dallime, përkundrazi, ne e kemi gjetur mbështetjen si tek  femrat police ashtu edhe tek meshkuj. Për dallim prej regjioneve të tjera, në Gjilan e kemi drejtoreshën femër, dhe ne nuk kem probleme me gjini, por nëse ti je punëtor i përgjegjshëm, pavarësisht gjinisë do të arrish aty ku dëshiron”, thotë Kçiku.

Përkundër mbështetjes, Kçiku thotë se puna në polici ka shumë sfida dhe vështirësi, të cilat sipas saj mund të kalohen vetëm me punë dhe vullnet.

“Nuk është e lehtë me punu edhe mashkull edhe femër në polici sepse është punë me përkushtim është një punë që të sfidon punë të cilën duhet me punu pa ndal, i ka vështirësitë e veta por me dëshirë, me vullnet, me punë  nëse ke filluar karrierën me dëshire atëherë gjithmonë ja del”, ka thënë Kçiku.

Në intervistën e dhënë për KALLXO.com, kapitenia ka treguar për momentin kur për herë parë e ka mbajtur armën në dorë, gjë për të cilën thotë se e kishte parë vetëm në filma.

“Po e mbaj mend se ka qenë ka akademi policore ku edhe jemi trajnuar, aty ka qenë hera e parë, unë skam pas në dorën time përveç çfarë kam parë në televizion ose në filma, ka qenë një ndjenjë e veçantë, kuptohet por pa përvojë mirëpo ndjenja ka qenë e veçantë përkundër se nuk kam pasur përvojë edhe kam menduar që nuk është e lehtë ka dal krejt e kundërta. Jam shumë mirë me armën fal trajnimeve që i kemi kry, i kemi kry në vazhdimësi për armë të gjata e tutje, por është ndjejnë e veçantë, dhe shumë mirë ja dalim”, thotë Kçiku.

Edhe pse kapitenia ka mbajtur shumë pozita drejtuese, ajo ka përmendur punën që ka bërë për 10 vite radhazi në Njësinë Speciale të Policisë së Kosovës, për të cilën thotë se është periudha më e mirë për të në Policinë e Kosovës.

“Vet puna e policisë është sfiduese dhe ka raste të njëpasnjëshme dhe nuk përjashtohet rreziku asnjëherë. Unë prej viti 2004 deri në vitin 2014 kam punuar në Njësinë Special për 10 vite, jam krenare dhe jam e kënaqur që kam qenë pjesë e asaj njësie elite dhe një njësie ku me të vërtetë bëhet punë shumë e mirë, e shkëlqyeshme nga të gjithë  ata djem dhe vajza qe kanë qenë dhe janë. Përvoja kemi pasur të ndryshme, të llojllojshme, sfiduese, të rrezikshme por nuk do të doja të cekja ndonjë rast të veçantë”, tregon Kçiku.

Pas shumë sfidave, vështirësive, dhe rrezikut, Kçiku ende nuk mendon ta lë Policinë e Kosovës, duke thënë se mendimi për ta lënë punën në polici mund të vijë vetëm kur ajo të pensionohet.

“Policia e Kosovës është shumë profesion interesant, në fillim ndoshta edhe pse heziton me hy fillimisht, kur e fillon punën dhe kur të punosh e sheh që është shumë e vështirë ta lësh uniformen.  Unë tash jam familjarizu me uniformën dhe kolektivin, dhe unë nuk kisha mendu asnjëherë që ta lë policinë se jam e knaqur dhe krenare që i shërbej vendit. Unë e kisha lënë policinë veç në pension kur dal”, ka përfunduar Kçiku.