Konferenca për media nga Dega e LDK-së në Ferizaj, Foto: Facebook/Muharrem Sfarqa

Svarqa: Aliu e ka dezinformuar publikun për ndërtimin e stadiumit të futbollit

Kryetari i degës së LDK-së në Ferizaj, Muharrem Svarqa ka thënë se kryetari i Ferizajt, Agim Aliu, e ka dezinformuar dje sërish publikun në lidhje me memorandumin e bashkëpunimit të nënshkruar ndërmjet Ministrisë së Kulturës Rinisë dhe Sportit (MKRS) dhe Komunës së Ferizajt më 27.4.2017, për ndërtimin e stadiumit të futbollit në Ferizaj.

“Aliu tha në Kuvendin e komunës se gjoja ky memorandum qenka nënshkruar nga një njeri që është gjetur rastësisht korridoreve të ministrisë. E vërteta është se memorandumi është nënshkruar nga sekretari i përgjithshëm i MKRS-së, Veton Firzi. Nëse për Aliun, sekretari i përgjithshëm i një ministrie paraqet vetëm një person që endet korridoreve të ministrisë, ky është vlerësim i tij, sipas meje i gabuar tërësisht”, ka thënë Svarqa.  

Sipas Svarqës, Aliu e kishte pohuar se është tenderi për ndërtimin e stadiumit ishte shpallur pa mjete të planifikuara me buxhet. 

“Ndërkaq, çdo qytetar që e lexon Ligjin e buxhetit të Republikës së Kosovës nr. 06L-020, i cili është publik, e sheh se në kodin 42205, tabela 4.2, faqe 448, ku janë të ndara mjetet për vitin 2018 – 200.000 euro, për vitin 2019 – 360.000 euro dhe për vitin 2020 – 300.000 euro, gjithsej 860.000 euro, që janë mjete të Komunës së Ferizajt për bashkëfinancim, sipas këtij memorandumi”, ka vazhduar më tej Svarqa.

Po ashtu ai ka thënë që në kodin 1454, në tabelën 3.2 të projekteve kapitale të MKRS-së janë paraparë për vitin 2018 – 200.000 euro, për vitin 2019 – 200.000 euro dhe për vitin 2020 – 1.487.428 euro, gjithsej 1.887.428 euro, që në të dy kodet janë paraparë në tërësi 2.747.428 euro. 

“Pse nuk janë paraparë mjete të tjera, kjo është çështje e ministrisë dhe jo e Komunës. Dëshiroj ta sqaroj publikun se pas ardhjes në pushtet të koalicionit PAN, MKRS ka njoftuar se nuk ka mjete për realizimin e këtij projekti, por ne ia kemi kujtuar kësaj ministrie se në bazë të nenit 8 të këtij memorandumi, “në rast të mosmarrëveshjes, kompetente për zgjidhjen e saj është Gjykata Themelore në Prishtinë…”, ka thënë Svarqa.