Ilustrim

Sezoni i Gripit, Mungojnë Vaksinat në Maqedoni

Çdo ditë e më shumë qytetarët preken nga gripi dhe viruset e ndryshme.

Për këtë arsye vaksinimi është i domosdoshëm, mirëpo vaksina për të gjithë nuk ka.

Nga Qendra për Shëndet Publik në Maqedoni bënë të ditur se vaksina më nuk ka dhe se janë harxhuar.

Për këtë vit janë ofruar 5.000 vaksina.

Kjo statistikë është nxjerrë nga llogaritja e kërkesave për tre vitet e fundit.

Mirëpo, siç duket ky numër nuk mjafton për t’i shërbyer qytetarëve. “Vaksina të reja nuk do të ketë pasiqë vaksinat që ne patëm 5000 doza të parashikuara për këtë vit që duhet t’i marrin qytetarët e Shkupit, janë harxhuar dhe nuk kemi më vaksina dhe nuk do të ketë. Mjekët ju preferojnë qytetarëve që të marrin terapinë simptomtike që ata e kanë, terapinë kronike domethënë. Të sëmurit kronik, fëmijët, gratë shtatëzëna, të cilët preferohet ta marrin këtë vaksinë, ata gjithmonë duhet të jenë në kontakt me mjekun amë”, tha dr. Lulzime Bajrami.

Edhe përkundër faktit që ka mungesë të dozës së vaksinimit në Qendrën për Shëndet Publik, qytetarët nuk janë të informuar dhe të vaksinuar sa duhet.

Disa nuk dëshirojnë të pranojnë të vaksinohen, të tjerëve nuk u lejohet për shkak të sëmundjeve kronike.

“Jo nuk jam vaksinuar edhe pse në punë na kanë ofruar që të vaksinohemi, por nuk kam pranuar” “Jo, nuk kam pranuar vaksinë për grip sepse unë jam me sëmundje kronike dhe nuk më lejohet, nuk më preferohet”, u shprehën disa qytetarë.

Përveç nevojës për vaksinim, mjekët rekomandojnë që qytetarët të rrinë nëpër shtëpi dhe mos të dalin jashtë pa nevojë.

Në qoftë se dalja e tyre në hapësirë është e domosdoshme duhet të ndërmarrin masa mbrojtëse, siç janë kapelë ose dorëza, gjithashtu të konsumojnë Vitaminën C, të hanë më shumë fruta – perime, dhe gjithashtu tu iket vendeve ku mblidhen shumë njerëz, raporton TV21./21Media