Sërish Telashe me Reduktime të Energjisë

Furnizuesi publik me energji elektrike (KESCO) ka njoftuar se reduktimet eventuale të energjisë elektrike janë pasojë e rënies së njësisë B1 dhe pamundësisë së importit të shpejtë të energjisë elektrike.

“Sot në orën 13:51 KEK-u njoftoi për rënien nga sistemi të Bllokut B1 në mënyrë të paplanifikuar. KESCO ka rritur sasinë e importit pasi ka rënë nga sistemi njësia B1 e termocentralit Kosova B, e cila ka krijuar mungesë të energjisë elektrike dhe ka vështirësuar furnizimin me këtë energji”, thuhet në komunikatën e lëshuar nga KESCO.

Ata kanë thënë se aktualisht janë duke importuar 200 megavatë energji elektrike, sasi kjo e cila është e pamjaftueshme për t’i mbuluar kërkesat për energji elektrike. Kthimi i njësisë B1 pritet të bëhet të shtunën në mesnatë.

Por, zëdhënësi i KEK-ut Skender Bucolli thotë se ndalja e njësisë ishte hap i domosdoshëm për të parandaluar prishje më të mëdha të kësaj njësie.

“Aktualisht B1 nuk ka rënë nga sistemi, mirëpo stafi drejtues i KEK-ut si pasojë e indikacioneve të një prishjeje teknike e cila do të mund të shkaktonte prishje tjera ka vendosur të ndalë këtë njësi për të sanuar prishjen”, tha Bucolli për KALLXO.com.

Bucolli tha se KESCO e ka obligim që t’i furnizojë qytetarët e Kosovës me energji elektrike.

“Prodhimi i energjisë, mirëmbajtja dhe sanimi i blloqeve janë përgjegjësi e plotë e KEK-ut, ashtu siç është përgjegjësi e plotë sipas licencës furnizimi i qytetarëve me energji elektrike nga KESCO. Për momenti jemi duke prodhuar rreth 520 megavat orë energjisë elektrike me dy blloqe të TC Kosova A dhe një të tc Kosova B”, tha Bucolli.

Kohëve të fundit reduktimet e energjisë elektrike u shpeshtuan në Kosovë, ndërsa KEDS-i e KEK-u fajësuan njëri-tjetrin për këto reduktime.

http://kallxo.com/qytetaret-ne-terr-keds-e-kek-shkembejne-akuza/

Redaktoi: Visar Prebreza