Serbia Thotë se e Ka Gjetur "Doktor Vdekjen" në Amsterdam

Autoritetet serbe thonë se kanë gjetur vendndodhjen e Jusuf Sonmezit – të cilin misioni i sundimit të ligjit i BE-së në Kosovë, EULEX, e ka akuzuar për trafikim me njerëz dhe krim të organizuar. Ai dyshohet se po fshihet në Amsterdam.

Zyra e Serbisë për Ndjekjen e Krimeve të Luftës tha se Sonmez me origjinë nga Turqia është gjetur në Holandë, në Amsterdam, javën e kaluar.

“Ky informacion iu dërgua edhe kryeprokurorit të BE-së, Jonathan Rathel”, tha Zyra e Prokurorisë Serbe.

Sonmez dhe një shtetas izraelit Moshe Harel, akuzohen nga EULEX-i për trafikimin me njerëz dhe krim të organizuar dhe janë të listuar si të arratisur e të kërkuar nga Interpoli.

Ata kanë qenë në arrati që nga koha kur është ngritur aktakuza në qershor 2011.

EULEX-i thotë se Sonmez ishte një figurë e rëndësishme e përfshirë në trafikimin e organeve njerëzore në klinikën “Medicus” në Prishtinë. Ai u arrestua në Stamboll në janar 2011, por u lirua me kusht.

Prokurori i EULEX-it Allen Cansick, vitin e kaluar, tha se EULEX-i besonte se Harel ishte në Izrael, ndërsa “misioni ka informacion se Sonmezi është duke udhëtuar në mbarë botën”.

Në prill të vitit të kaluar, një gjykatë në Kosovë dënoi pronarin e klinikës “Medicus” dhe katër të tjerë për pjesëmarrje në një rrjet të paligjshëm të organeve që mblidhnin dhe shisnin veshka të njerëzve.

Në vendim thuhej se rreth 30 transplante të paligjshme të veshkave u bënë në klinikën “Medicus” në vitin 2008.

Njerëzit e varfër nga Turqia, Rusia, Moldavia dhe Kazakistani ishin sjellë në klinikë pasi u ishte premtuar se ata do të marrin deri në 15.000 euro për veshkat e tyre.

Prokurori i rastit i EULEX-it tha se përfituesit e veshkave ishin kryesisht izraelitë që kishin paguar më shumë se 70 mijë euro për veshkat.

Sonmez dhe Harel, dy të dyshuar për bashkëpunim me burrat e dënuar, ishin të arratisur dhe nuk ishin parë më në Kosovë që atëherë.

Prokuroria serbe pretendon se Sonmez ishte gjithashtu pjesë e një grupi që dyshohet se kishin mbledhur organet e serbëve të rrëmbyer gjatë luftës të Kosovës në të ashtuquajturën “Shtëpia e Verdhë” në Shqipëri në vitin 1999.

Klinika “Medicus” është përmendur gjithashtu në një raport të 2011 të Këshillit të Evropës, i cili pretendon se ish-ushtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës disa prej të cilëve tani politikanë të një profili lartë kishin tregtuar me organet e të burgosurve gjatë konfliktit të vitit 1999.

Një task-forcë e BE-së e ngritur për të hetuar akuzat e raportit të Këshillit të Evropës në korrik, tha se rezultatet e tyre ishin në përputhje me atë që u tha në vitin 2011.

“Ka indikacione se kjo praktikë ka ndodhur në një shkallë shumë të kufizuar dhe se një numër i vogël i individëve u vranë me qëllim që t’u nxirreshin dhe trafikoheshin organet e tyre”, tha kryeprokurori i Task- Forcës së BE-së, Clint Williamson.

Mbetet ende për t’u parë nëse ndokush do të akuzohet me këto akuza në Gjykatën Speciale për Krime Lufte e cila do të themelohet në vitin 2015 në Holandë.