Ish-kryeministri Ramush Haradinaj - 19.07.2019

Serbia pret heqjen e taksës pas dorëheqjes së Haradinajt

Dorëheqja e parevokueshme dje e, tanimë, ish-kryeministrit Ramush Haradinaj, për shkak të ftesës që ka marrë nga Dhomat e Specializuara të Gjykatës Speciale më qendër në Hagë për të dhënë dëshminë e tij në cilësinë e të dyshuarit, mund të zhbllokojë dhe njëkohësisht të rinisë bisedimet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Poashtu edhe taksa e vendosur ndaj mallrave të Serbisë dhe Bosnje e Hercegovinës mund të hiqet.

Kështu deklarohet gazeta serbe ‘Blic’ në njërën prej shkrimeve të saja pas lajmit të dorëheqjes së Haradinajt.

Sipas kësaj gazete, gjatë disa muajve të fundit rreth 20 dëshmitarë janë marrë në pyetje në lidhje me rastin kundër Ramush Haradinajt.

Bisedimet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për të ardhmen e Kosovës janë bllokuar që një kohë të gjatë për shkak të vendosjes së taksës për mallrat që vijnë nga Serbia, e për të cilën taksë, Ramush Haradinaj ka insistuar gjithnjë për ta mbajtur në fuqi.

Gjithnjë sipas gazetës Blic, Haradinajt i është thënë nga të gjitha qendrat e vendosjes evropiane që të pezullojë taksën në mënyrë që Prishtina dhe Beogradi t`i kthehen tavolinës së bisedimeve.

Gjatë kohës sa ka mbajtur pozitën e kryeministrit të Kosovës, Haradinaj ka qenë një kundërshtar i çfarëdo pazari dhe kompromisi ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

“Haradinaj ka dalë nga kontrolli edhe kur bëhej fjalë për amerikanët. Në mënyrë absolute nuk ka dashur të marrë parasysh ndonjë sugjerim. Një qëndrim i tillë kundërshtues i Haradinajt ka rezultuar me një konflikt të ngrirë, i shoqëruar me incidente sporadike në vend”, shprehet gazeta Blic sipas burimeve të saja nga qarqet diplomatike në Prishtinë.

Poashtu, sipas Blic, Haradinaj ka refuzuar të flasë për këtë çështje me presidentin e Kosovës Hashim Thaçi si dhe me kryeparlamentarin Kadri Veseli.

Po kush i dha Haradinajt dritën e gjelbër për të vendosur taksën dhe insistimin e tij për një Kosovë të pavarur në krejt tërësinë e saj – pyet Blic në shkrimin e tij?

Temë e spekulimeve në Prishtinë është se kush i dha Haradinajt dritën e gjelbër e, bashkë me të edhe garancionet, për ta shtyrë me muaj taksën e vendosur ndaj mallrave serbe si dhe insistimin për një Kosovë të pavarur në krejt tërësinë e saj.

Megjithatë, siç u pa dje, ftesa e dërguar në drejtim të Haradinajt në cilësinë e të dyshuarit, duket se ishte një befasi e pakëndshme edhe për vetë atë.

Sipas të dhënave nga burime të ndryshme, Haradinaj mbështetej tek britanikët për të mos u zmbrapsur nga vendimi i tij. Mirëpo kjo, megjithatë, nuk nënkupton se, përkundër të gjitha synimeve që ka Evropa dhe Amerika, edhe britanikët kanë qenë aq këmbëngulës në mbështetje të qëndrimeve të cilat i promovonte Haradinaj, shkruan Blic.

Një ditë pas lajmit se do të shkojë në Hagë, Haradinaj po shihet si një hero në Kosovë. Në vitin e fundit, popullariteti i tij është rritur për dallim prej Hashim Thaçit, popullariteti i të cilit është në rënie e sipër.

Dorëheqja e tij  e befasishme lë hapësirë të mjaftueshme për kundërshtarin e tij politik, Hashim Thaçin, që të riforcojë popullaritetin e tij politik në skenën politike kosovare.

Po çfarë do të ndodhë me dialogun, sipas gazetës Blic?

“Padyshim se bisedimet do të zhbllokohen dhe, takimi i radhës ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit do të mbahet në shtator”, thonë burime të gazetës beogradase Blic.

Se cili do të jetë drejtimi në të cilin bisedimet Kosovë – Serbi do të shkojnë, varet ekskluzivisht në gatishmërinë e SHBA-ve për t’iu bashkuar këtyre bisedimeve. Sipas komplikimeve të deritashme jozyrtare, amerikanët nuk e kanë problem korrigjimin e kufijve, thotë gazeta Blic.

Mirëpo një kundërshtar i rreptë i një ideje të korrigjimit të kufijve është dhe akoma mbetet Gjermania.

“Sipas një propozimi që po qarkullon nëpër qendrat e vendosjes në Evropë, Beogradi dhe Prishtina do të duhej të nënshkruanin një të ashtuquajtur “marrëveshje mbi marrëveshjen” e cila nënkupton edhe një premtim të radhës për implementimin e Marrëveshjes së Brukselit,” përfundon shkrimin e saj gazeta serbe Blic.