Goran Trivan | Foto Ministria e Mjedisit të Serbisë

Serbia hulumton shkencërisht pasojat e bombardimeve të NATO-s

Ministri i Mbrojtjes së Mjedisit të Serbisë Goran Trivan paralajmëroi formimin brenda një muaji të ekipit koordinues dhe laboratorit kombëtar për hulumtim shkencor të pasojave të bombardimeve të NATO-s.

Sipas Tanjugut, hulumtimi do të bëhet për ta ditur se çfarë ndodhi.

“Nuk mjafton që vetëm ne të jemi të bindur se çfarë ndodhi në vitin 1999, por t’i tregojmë gjithë botës se në çfarë përfundime erdhëm”, tha Trivan.

Ai konstatoi se “i kemi borxh edhe opinionit tonë publik, po edhe atij botëror një shpjegim për atë se çfarë ndodhi dhe cilat janë pasojat potenciale”.

Ai tha se pasojat nga bombardimet nuk janë vetëm në tokë, por edhe në ajër.

“Nuk është gjithçka në tokë, shumë grimca kimike shkuan në atmosferë dhe kështu kanë mundur të transferohen në vendet përreth”, tha ministri serb.

I pyetur nëse hulumtimi do të zhvillohet edhe në territor të Kosovës, Trivan tha se uraniumi i varfëruar nuk bën dallim mes kombesh.

“Nganjëherë harrohet se viktima më e madhe e bombardimeve ishte hapësira e Kosovës. Në territoret të cilat janë bombarduar me uranium të varfëruar kanë lindur fëmijë që nuk kanë lidhje me politikën”, tha Trivan.

Ai e cilësoi gjë të gabuar refuzimin e opinioni publik në Kosovë për të folur për pasojat e bombardimeve.

“Pasojat gjithsesi ekzistojnë, çështja është sesa janë të mëdha. Do të provojmë që një pjesë të hulumtimit ta kryejmë në Kosovë, pasi kjo nuk është politikë, por vërtetim i gjendjes së mjedisit jetësor”, tha Trivan.