Arkiv - Vendi ku u vra Oliver Ivanoviq | Foto: KALLXO.com

Serbia e Kosova ia hedhin fajin njëra- tjetrës për zvarritjet në hetimin për vrasjen e Ivanoviqit

Ndërsa Beogradi dhe Prishtina shkëmbejnë akuza për mungesën e progresit në hetimin për vrasjen e Oliver Ivanoviqit, aleatët e politikanit serb të Kosovës të vrarë thonë se po mbahen në errësirë nga të dy vendet.

Avokati dhe kolegët e partisë të politikanit të vrarë Oliver Ivanoviq thonë se nuk po informohen për progresin e hetimeve nga autoritetet e Kosovës apo Serbisë, ndërsa Beogradi dhe Prishtina vazhdojnë të akuzojnë njëri-tjetrin për pengim të progresit në këtë çështje.

“Beogradi dhe Prishtina e dënojnë njëri-tjetrin në deklaratat e tyre, siç bënin edhe më parë, duke mos dhënë detaje të reja,” tha Ksenija Bozhoviq nga partia Liri, Demokraci dhe Drejtësi e Ivanoviqit.

Avokati i Ivanoviqit, Nebojsa Vlajiq, tha se nuk ka marrë asnjë informacion nga hetuesit e Kosovës dhe se ai nuk ka kontakt me autoritetet e Beogradit.

“Nuk ka asgjë të re. Ata nuk duan të flasin për këtë dhe nuk ka asnjë me të cilin të flasësh në prokurorinë e Kosovës,” tha Vlajiq për BIRN.

Oliver Ivanoviq u vra më shumë se katër muaj më parë, më 16 janar, para zyrave të partisë së tij në qytetin e Mitrovicës veriore në Kosovë.

Pavarësisht se pranoi zyrtarisht të shkëmbente informacione mbi çështjen, bashkëpunimi i premtuar midis prokurorëve të Serbisë dhe Kosovës nuk u materializua kurrë.

Prokuroria Speciale e Kosovës tha për BIRN se Prokuroria Themelore në Mitrovicë paraqiti katër kërkesa për bashkëpunim në Serbi, duke kërkuar të dhëna siç janë telefonatat e përgjuara, telefonata hyrëse dhe dalëse nga telefoni i Ivanoviqit dhe të dhëna të tjera të ngjashme.

“Por deri më tani nuk kemi pasur ndonjë përgjigje pozitive në këtë drejtim. Ne mirëpresim çdo bashkëpunim dhe ndihmë për të hedhur dritë mbi këtë rast që do të vinte nga organet kompetente të Serbisë,” tha zyra e prokurorit të Kosovës në një përgjigje me shkrim.

Prokuroria përkatëse serbe nuk iu përgjigj pyetjeve të BIRN-it deri në kohën e publikimit të lajmit.

Mungesa e ndonjë progresi të dukshëm në hetim ka nxitur një shkëmbim akuzash mes qeverive të Serbisë dhe asaj të Kosovës, pavarësia e të cilës nuk njihet nga Beogradi.

Zv/kryeministri i Kosovës Enver Hoxhaj akuzoi Serbinë se donte “të fshihte të vërtetën” dhe “pengonte drejtësinë”.

“Vrasja e Ivanoviqit ka rrënjë në politikat shkatërruese serbe dhe përgjigjet po fshihen në Beograd,” shkroi Hoxhaj në Twitter.

Ministri i brendshëm serb Nebojsha Stefanoviq u përgjigj të hënën duke e akuzuar Kosovën se nuk ka bërë ndonjë përparim në hetim pavarësisht marrjes së pamjeve të kamerave të sigurisë nga vendi i krimit dhe duke pasur “qasje në dëshmitarë të mundshëm” dhe mjekësi ligjore.

“Unë jam i sigurt se një hetim profesional dhe i paanshëm do të tregonte se të gjitha përgjigjet fshihen në Prishtinë,” tha Stefanoviq për agjencinë serbe të lajmeve Tanjug.

Ndërsa politikanët debatojnë, Ksenija Bozhoviq tha se ajo ishte gjithnjë e më e bindur se vrasësit e Ivanoviqit dhe ata që u dhanë urdhër për të vrarë politikanin nuk do të gjenden kurrë.

“Nuk ka asgjë të re përveç të dyja palëve që e shajnë njëra-tjetrën në media,” tha Bozhoviq.

Ivanoviq ishte kreu i partisë Liri, Demokraci, Drejtësi, e cila ishte kundër partisë kryesore serbe të mbështetur nga Beogradi, Lista Serbe, e cila është pjesë e qeverisë së Kosovës.

Politikani i njohur kishte thënë disa herë se ai dhe familja e tij kishin marrë kërcënime dhe kishte kërkuar ndihmë nga Kosova, Serbia dhe të tjerët, por pa asnjë përgjigje.

Ivanoviq shihej si një politikan i moderuar që mbështeste bashkëjetesën midis pakicës serbe të Kosovës dhe shumicës shqiptare.

Megjithatë, para vdekjes së tij ai po rigjykohej për dyshimet për urdhërimin e vrasjes së shqiptarëve të Kosovës në vitin 1999 gjatë luftës në vitin 1999. Ai e kishte deklaruar veten të pafajshëm.