Parakalimi i FSK-së

Serbia alarmohet nga ndryshimet e ligjeve për FSK-në

Serbia tha se do të fliste me forcat paqeruajtëse të NATO-s në Kosovë, KFOR-in, për lëvizjet e Kosovës për ta shndërruar Forcën e saj të Sigurisë, FSK, në një ushtri de facto.

Ministri serb i Mbrojtjes Aleksandar Vulin tha për radion kombëtare serbe RTS të premten se do të fliste me forcën paqeruajtëse ndërkombëtare të udhëhequr nga NATO, KFOR, për ligjet që parlamenti i Kosovës miratoi të enjten, duke zgjeruar kompetencat e Forcës së Armatosur të Kosovës, FSK.

Kur u pyet nëse ligjet shënonin në mënyrë efektive një hap drejt formimit të një ushtrie të Kosovës, të cilën Serbia e kundërshton, Vulin tha se kësaj pyetjeje duhet t’i përgjigjet “komuniteti ndërkombëtar, i cili mori përsipër përgjegjësinë për gjithçka në Kosovë, sidomos për paqen dhe sigurinë”.

“Tani është koha të shohim nëse komuniteti ndërkombëtar është i aftë të zbatojë mandatin dhe vendimet e tij,” tha Vulin.

Presidenti serb Aleksandër Vuçiç tha se pozita e Serbisë do të bëhej “jashtëzakonisht e vështirë” nëse FSK-ja do të shndërrohej në një ushtri të rregullt. Mandati i saj aktual është pak më shumë se sa të merret me reagimin ndaj krizave.

“Ne do të përpiqemi të mos lejojmë që këto gjëra të ndodhin dhe do të marrim vendime të mëtejshme kur ata të marrin vendime,” komentoi shkurtimisht të enjten Vuçiç mbi transformimin e FSK-së dhe për ofertën e Kosovës për t’iu bashkuar Interpolit.

E përditshmja serbe Vecernje Novosti nga e premtja raportoi se Vuçiç përballej me presion nga bashkëpunëtorët e tij për ta deklaruar Kosovën  “territor të okupuar” nëse krahina e mëparshme formon ushtrinë e vet, pasi “sipas të gjitha marrëveshjeve, KFOR-i është e vetmja forcë e armatosur” që mund të ekzistojë në Kosovë.

Nga ana tjetër, presidenti i Kosovës Hashim Thaçi ndau në Facebook një video të anëtarëve të FSK-së dhe disa nga fjalimet e tij duke treguar përkushtimin e tij që FSK-ja të bëhet ushtri.

“Gjithmonë duke nderuar atdheun dhe në shërbim të të gjithë qytetarëve. Bijtë dhe bijat më të mira të vendit, ushtarët e Republikës së Kosovës,” shkroi Thaçi të enjten.

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, tha se e enjtja ishte një nga ditët më të rëndësishme për konsolidimin e shtetësisë së Kosovës dhe rrugën drejt anëtarësimit në NATO.

“Kuvendi i Kosovës ka vulosur të drejtën e vendit tonë sovran që ta kalojë FSK-në në një mandat ushtarak dhe mbrojtës, si ofrues i sigurisë për të gjithë qytetarët dhe komunitetet, një forcë multi etnike dhe profesionale në përputhje me standardet e NATO-s,” shkroi Haradinaj te enjten.

“Tranzicioni i FSK-së do të jetë i dobishëm për qytetarët dhe komunitetet e Kosovës, rajonin dhe partnerët tanë strategjikë,” shtoi ai.

Zv/kryeministri dhe ministri i jashtëm, Behgjet Pacolli, shkroi se Kosova kishte ndërmarrë një hap të rëndësishëm drejt forcimit të vendit, duke përshëndetur unitetin e treguar nga të gjitha partitë politike për këtë çështje.

“Uniteti politik i pasqyruar sot në kuvend është një lajm i jashtëzakonshëm për të ardhmen tonë. Ne jemi së bashku kur është në pyetje Kosova,” “shkroi Pacolli në Facebook të enjten.

NATO tha për Reuters të enjten se nuk ka në plan të largohet nga territori tani, por sugjeroi se çdo ndryshim në statusin e FSK-së mund të çojë në një reduktim të forcave të saj.

“NATO mbështet Forcën e Sigurisë së Kosovës nën mandatin e saj të tanishëm. Nëse ky mandat evoluon, Këshilli i Atlantikut të Veriut do të duhet të rishqyrtojë nivelin e angazhimit të NATO-s në Kosovë. Ne nuk mund të parashikojmë vendimet e Këshillit të Atlantikut të Veriut,” tha një zyrtar i NATO-s për Reuters.