Diskutimi për FSK-në | Foto: Presidenca

Serbët Tregojnë Pse Frikësohen nga Krijimi i Ushtrisë

Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë organizoi sot një diskutim në lidhje me qëndrimin e komunitetit serb rreth ndryshimit të mandatit të FSK-së.

Edhe pse në diskutim nuk morën pjesë përfaqësues politikë të serbëve, përfaqësues të këtij komuniteti nga shoqëria civile dhe njohës të çështjeve të sigurisë treguan pse serbët i frikësohen transformimit të FSK-së në Forca të Armatosura të Kosovës,

“Ajo që është kyçe është niveli i lartë i frikës, mosbesimit sa i përket transformimit të FSK-së është i pranishëm në komunitetin serb”, tha Jovana Radosavljeviq, drejtoreshë e Iniciativës së Re Sociale në Mitrovicën e Veriut, teksa përshëndeti nismën për bisedime rreth transforimimit.

Radosavljeviq më pas arsyetoi frikën e komunitetit serb nga krijimi i Ushtrisë së Kosovës.

“Nisemi nga perspektiva që ende ka tensione, jetojmë në konflikt të ngrirë dhe është mirë të merren parasysh të gjitha frikët dhe të adresohen në mënyrë adekuate”, tha Radosavljeviq.

Veroljub Petroniq, drejtor ekzekutiv i ‘Humani Centar’ në Mitrovicën Veriore dhe hulumtues i sferës së sigurisë tha se 80 për qind të qytetarëve serbë në 10 komunat me shumicë serbe në Kosovë janë kundër transformimit të FSK-së, ndërsa vetëm 7 për qind të tyre nuk janë deklaruar rreth kësaj çështjeje.

Ai frikën e serbëve nga transformimi i FSK-së e lidhi edhe me ngjarjet e vitit 2015 në Kumanovë.

“Ngjarjet e ndodhura në Maqedoni ku 21 kosovarë kanë marrë pjesë dhe ka dalë që ka pasur në atë ngjarje ish-pjesëtarë të TMK-së dhe askush nuk ka dalë në opinion të flasë për këtë”, tha Petroniq, duke shtuar se FSK-ja është vazhdimësi e TMK-së.

Ai më tutje deklaroi se te serbët në lidhje me transformimin e FSK-së në ushtri “rrënjët e frikës janë të rënda e të thella”.

I pranishëm në diskutim ishte Presidenti Hashim Thaçi, njeriu që nisi dhe më pas hoqi dorë nga iniciativa për ta transformuar FSK-në me ndryshime ligjore.

Thaçi tha se është i gatshëm çdo ditë ta shpjegojë nevojën për transformimin e FSK-së.

“Jam i vetëdijshëm për shqetësimin të politikanëve dhe qytetarëve serbë për transformimin e FSK-së. Nëse duhet çdo ditë do të shpjegojmë pse duhet FSK te kthehet në Forca të Armatosura”, tha Thaçi.

Ai tregoi më tutje se Ushtria e Kosovës nuk do të jetë kundër askujt.

“Jam i bindur se kur t’i bëjmë forcat e armatosura do t’i shohim që edhe këto forca do të jenë vlera për të gjithë ne. Edhe sot ne të gjithë jemi krenarë se në përbërjen e FSK-së janë 103 përfaqësues të komunitetit serb”, tha Thaçi.

Ai u zotua se askush nuk do të mundet ta ndalojë krijimin e forcave të armatosura, ndërsa tregoi se pse FSK-ja duhet të tyransformohet me ndryshime kushtetuese.

“Krejt ky proces është kushtetues dhe legjitim. Askush nuk mund të bllokojë këtë proces. Ne duam që Forcat e Armatosura të bëhen me ndryshimin e Kushtetutës, duke bashkuar në një vend, në Kuvendin e Kosovës, vullnetin politik të të gjitha komuniteteve të Kosovë”< tha Thaçi.

Burim Ramadani, drejtor i Qendrës Kërkinore për Politika të Sigurisë tha se vendimi për transformimin duhet të jetë sa më gjithëpërfshirës.

“Konsultimet duhet të jenë gjithëpërfshirëse dhe vendimi duhet të jetë maksimalisht gjithëpërfshirës, secilin hap si ky i FSK-së në transformim duhet ta shohim”, tha Ramadani.