Foto: Tanjug/RTS

Serbë të Kosovë i shkojnë Vuçiqit në mbështetje

Një grup prej 27 serbëve të Kosovës i kanë shkuar Presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq si “mbështetje” në kohën kur ai po përballet me protesta të shpeshta e masive në Beograd dhe qytetet tjera të Serbisë.

Të veshur me fanella me flamur të Serbisë dhe një pankartë në duar në mbështetje të presidentit, grupi i serbëve të Kosovës ka qëndruar të enjten pasdite për një kohë para ndërtesës së Presidencës serbe dhe më pas kanë hyrë në një takim me Vuçiqin, raportojnë mediat serbe.

Siç raporton RTS, Zyra për informim e Presidencës ka thënë se temë e takimit do të jetë takimi i Berlinit i 29 prillit në të cilin Vuçiq do të përballet me Presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi e kryeministrin Ramush Haradinaj në praninë e Kancelares së Gjermanisë, Angela Merkel dhe Presidentit të Francës, Emanuel Macron.

Pas takimit, Vuçiq pritet të dalë në një konferencë për shtyp.