Hapësirat e Universitetit të Prishtinës | Foto: KALLXO.com

Senati ‘vulos’ avancimin e dyshimtë, kandidati paralajmëron ankesë

Në mbledhjen e senatit të Universitetit të Prishtinës të datës 20 shtator u miratua procesverbali i mbledhjes së 20 korrikut që shënon vendimin përfundimtar të avancimit të një profesori që akuzohet se nuk plotësoi kriteret.

Muhamed Çitaku është propozuar në pozitën profesor-asistent në Departamentin e Gjuhës Shqipe të Fakultetit Filologjik për disa lëndë nga komisioni recensues, përkundër që nuk ishte më i poentuari në garën për këtë pozitë.

Më i poentuari në këtë garë ka dalë Vehbi Miftari, kundërkandidati i Çitakut. Komisioni Recensues i përbërë nga Sali Bashota (Kryetar), Qibrije Demiri- Frangu (Anëtare) dhe Zejnullah Rrahmani (Anëtar) i ka dhënë disa arsye pse kanë vendosur t’ia propozojnë Senatit kandidatin e dytë për nga përgatitja.

Kundërkandidati i Çitakut, Vehbi Miftari  ndjeku të gjitha rrugët e mundshme të ankesave për të parandaluar miratimin e procesverbalit të kësaj mbledhje të senatit ku u bë avancimi në fjalë pasi, sipas tij avancimi i Çitakut ishte i kundërligjshëm.

Në mbledhjen e Senatit të Universitetit të Prishtinës të mbajtur me 10 shtator nuk është miratuar fare procesverbali i mbledhjes së kaluar ku është bërë avancimi.

Gazeta Jeta në Kosovë ka dërguar pyetje në drejtim të rektoratit të UP-së lidhur me këtë çështje dhe pretendimet e Miftarit, mirëpo të njëjtit thanë se nuk mund të trajtojnë ankesa mbi një çështje të pa finalizuar.

Pas pyetjeve të pranuara nga KALLXO.com, në mbledhjen e Senatit më 10 shtator, ishte shtyrë miratimi i procesverbali i mbledhjes së kaluar (mbledhjes kur u votua avancimi i Çitakut)

Esat Kelmendi, sekretar i këtij universiteti kishte thënë se reagimi i Miftarit ishte i parakohshëm.

“Pasi ta marrin vendimin, pala e pakënaqur ushtron ankesë dhe pastaj ankesa shqyrtohet në komision të ankesave. Nuk trajtojmë ankesa para se të pranojë pala vendimin”, tha Kelmendi.

Kandidati mund të ankohet në komision të ankesave në senat pas marrjes përfundimtare të vendimit me shkrim për përzgjedhjen e Çitakut.

Ndërkaq në mbledhjen e djeshme, senati mori vendim për miratimin e procesverbalit.

Lidhur me këtë, kandidati Miftari tha se do të vazhdojë me ankesa te të gjitha institucionet përgjegjëse.

“Senati ka vendosur në kundërshtim me rregulloren e UP-së dhe, mbi të gjitha, ne kundërshtim me ligjin. MASHT-i si interpretues përfundimtar i dispozitave ligjore te Ligjit mbi Arsimin e Larte e ka konstatuar shkeljen. Ky interpretim është obligativ për Senatin. Unë do të paraqes ankesë sapo ta marr vendimin e Senatit, por paralelisht do të denoncoj në institucionet përgjegjëse shkeljet e bëra në këtë proces”, tha Miftari për KALLXO.com

Gazeta Jeta në Kosovë dje ka publikuar hulumtimin mbi  avancimin të dyshimtë në Fakultetin Filologjik të Universitetit të Prishtinës.

Gazeta Jeta në Kosovë ka kërkuar edhe komentin e Çitakut lidhur me pretendimet e kundër-kandidatit, mirëpo i njëjti nuk ka kthyer përgjigje deri në momentin e publikimit të këtij artikulli.

 

Avancimi i dyshimtë në Universitetin e Prishtinës