Kisha ortodokse në kampusin e Universitetit të Prishtinës | Foto: Atdhe Mulla

Senati- Mbledhje të Veçantë për Padinë e Refuzuar Ndaj Kishës

Në mbledhjen e sotme të Senatit të Universitetit të Prishtinës, dekani i Fakultetit Filozofik Bujar Dugolli kërkoi që të mbahet një mbledhje për të diskutuar rreth padisë së refuzuar nga gjykata në lidhje me tokën e kishës brenda kampusit të UP-së.

“Konsideroj që ju si Rektorat duhet të jepni një raport në lidhje me këtë çështje, ose nëse nuk jeni të gatshëm sot të thirret një mbledhje e veçantë e Senatit të diskutohet vetëm kjo çështje sepse ka të bëjë me hapësirën e Universitetit”, tha Dugolli.

Rektori Marjan Dema tha se në mbledhjen e radhës mund të caktohet një mbledhje tjetër ku do të diskutohet për padinë e refuzuar.

“Ne i kemi kryer të gjitha procedurat dhe në qoftë se dëshironi e caktojmë një mbledhje të veçantë dhe e japim një raport. Në mbledhjen e ardhshme e caktojmë një mbledhje enkas për këtë dhe do të raportojmë”, tha Dema.

I pari i UP-së tha se refuzimi i ankesës është diskutuar në të gjitha instancat, ndërsa pohoi se ky rast është munduar të keqpërdoret duke u kritikuar menaxhmenti aktual i cili nuk ka qenë në atë kohë kur është proceduar padia ndaj Kishës Ortodokse.

KALLXO.com ndoqi sot live mbledhjen e Senatit.

Gjatë ditës së mërkurë KALLXO.com ka raportuar se Universiteti i Prishtinës ka iniciuar sërish padi ndaj Kishës Ortodokse për vërtetim të së drejtës së shfrytëzimit të tokës dhe kthim të posedimit.

http://kallxo.com/universiteti-prishtines-padit-perseri-kishen/

Po ashtu UP-ja ka iniciuar padi edhe ndaj Komunës së Prishtinës me arsyetim se pa bazë të vlefshme juridike e në mënyrë të kundërligjshme ia ka dhënë një pjesë të kompleksit universitar në shfrytëzim Kishës Ortodokse.

Dy javë më parë, KALLXO.com raportoi se Gjykata e Apelit i ka dhënë të drejtë Kishës Ortodokse në pretendimin për tokën që e ka në pronësi në kampusin e Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, pasi përfaqësues të UP-së nuk janë paraqitur në seancë.

http://kallxo.com/ekskluzive-humb-gjyqin-toka-ne-kampus-mbetet-kishes/