Mbledhja e 48-të e Senatit të UP-së, Foto: Kallxo.com

Senati largon revistën shkencore 'Danubius' nga lista e revistave kredibile

Në mbledhjen e 48-të të Senatit të “Universitetit të Prishtinës”, rektori Marjan Dema paraqiti kërkesën e Këshillit Qendror të Studimeve të Doktoratës, të cilët kanë kërkuar që revista shkencore “Danubius” të largohet nga lista e revistave kredibile.

“Këshilli qendror i studimeve të doktoratës ka kërkuar që revista Danubus ka dyshime që revista nuk është cilësore dhe nuk i përmbush kriteret tona, andaj ky organ kërkon qe senati të marrë vendim qe të futet në listën e revistave jo kredibile”, ka thënë Dema.

Ndërsa, dekani i Fakultetit Juridik, Haxhi Gashi tha se ka kandidatë nga fakulteti që ai përfaqëson që tashmë kanë publikuar punime shkencore në këtë revistë dhe kërkoi që të mos penalizohen.

“Nëse eventualisht largohet duhet të bëhet një prerje ligjore qe të mos penalizohen personat që tashmë kanë publikuar në këtë revistë. Të gjitha punimet e publikuara më herët duhet të llogariten por duhet të vlejë vetëm për tash e tutje”, deklaroi ai.

Senatorët gjithashtu votuan pro largimit të kësaj reviste nga lista e revistave shkencore kredibile.

Në mbledhjen e sotme të Senatit të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, po shqyrtohen kërkesat për ratifikim të punimeve të doktoratës, marrja e vendimit për angazhim në cilësi të profesorëve vizitorë, informimi lidhur me angazhimin e bashkëpunëtorëve të jashtëm në tri fakultete e shumë të tjera.

Senatorët e UP-së votuan pro miratimit të temave të doktoratës së këtyre kandidatëve: nga FSHMN kandidati Astrit Bilalli, nga Fakulteti Ekonomik kandidatët Vlora Prenaj, Arbër Hoti, Lekë Pula, Vjosa Fejza, nga FIEK, Eliot Bytyqi kurse nga Fakulteti i Mjekësisë, Luljeta Shabani.

Po ashtu u miratua edhe pjesëmarrja e profesorëve vizitorë gjatë semestrit veror. Bëhet fjalë për profesorin Selami Kolonja në Fakultetin e Arteve dhe Maricq Cilas Mikulic nga Universiteti i Zagrebit në Fakultetin e Filologjisë.