Mbledhja e Senatit të UP-së. Foto: Kallxo.com

Senati i UP-së miratoi shpalljen e konkursit plotësues për nivelin Master

Senati i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” në mbledhjen e sotme miratoi shpalljen e konkursit plotësues për vendet e paplotësuara në nivelin master për vitin akademik 2018/19.

Dekani i Fakultetit Filozofik, Bujar Dugolli akuzoi rektoratin e UP-së për mos shqyrtimin e ankesave të studentëve që nuk kanë arritur të jenë pjesë e studimeve për shkak të gabimeve teknike.

“Ju jeni duke i maltretu studentët dhe nuk po lejoni që të shqyrtohen ankesat e studentëve si rezultat j gabimeve teknike. Një kandidate me pikët e barabarta sillet poshtë e lartë kur i ka pikët dhe s’mund të regjistrohet”, tha Dugolli.

Ndërkaq, dekani i Fakultetit Juridik, Haxhi Gashi tha se fakulteti që ai përfaqëson nuk do të hapë konkurs plotësues por do të pranojë studentët që kanë bërë ankesa në afatin e parë.

“Vetëm ata që kanë bërë kërkesë mund të shpallen sepse mësimet kanë filluar dhe është plotësuar numri. Nëse merreni prapë me konkurse, prishet sistemi arsimor”, ka thënë ai.