Deputeti Driton Selmanaj - Foto: KALLXO.com

Selmanaj: Muhabetet për korrigjimin e kufirit janë mendime individuale

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Driton Selmanaj në një prononcim për KALLXO.com tha se nuk do t’i komentojë polemikat apo përplasjet mes deputetes Vjosa Osmani dhe nënkryetarit të LDK-së, Lufti Haziri rreth korrigjimit të kufirit me Serbinë.

Sipas tij, deklarata të tilla janë mendime individuale që nuk mund të thirren në emër të partisë.

“Unë nuk lëshohem në komentime të deklaratave të tyre. Mund ta konfirmoi qëndrimin zyrtar të LDK-së, e që është kundër që kufiri i Kosovës të vihet në pazar. Çdo muhabet dhe diskurs tjetër mes njerëzve të caktuar është mendim individual i tyre dhe ata le ta vlerësojnë vetë. Sa i përket qëndrimit të LDK-së është se s’ka ndryshim të kufijve, s’ka shkëmbim territoresh. Ndërsa për ata unë nuk mund të jap një mendim për deklaratat e tyre, mund t’i thirrni ata.”, ka thënë Selmanaj.

Në anën tjetër Agim Veliu më herët deklaroi për KALLXO se nuk po i pëlqejnë polemikat e Osmanit dhe Hazirit.

Ndërsa, nënkryetari i LDK-së, Haki Rugova dhe deputeti Arben Gashi gjithashtu deklaruan se nuk duan të flasin rreth këtyre përplasjeve.

KALLXO.com raportoi mbrëmë për polemikat e deputetes Vjosa Osmani me kryetarin e Gjilanit Lutfi Haziri rreth çështjes së shkëmbimit të territorit mes Kosovës dhe Serbisë.

https://kallxo.com/vjosa-osmani-i-pergjigjet-ashper-lutfi-hazirit/