Foto: Kallxo.com

Selmanaj dhe Matoshi debatojnë për projektin “Ta pastrojmë Kosovën”

Ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fatmir Matoshi i është kundërpërgjigjur deputetit të LDK-së, Driton Selmanajt lidhur me projektin “Ta pastrojmë Kosovën”.

Ministri Matoshi tha se mjetet e ndara prej 1.2 milionë euro nuk kanë të bëjnë me ndonjë aktivitet të organizatës “Ta pastrojmë Kosovën”.

“Projektet në fushën e mjedisit, 1.2 milionë euro janë grante të ndara për komunat përmes fushatës ‘Ta pastrojmë Kosovën’. Kjo është paraparë me buxhetin e MMPH-së. Pesë komunat që i përmbushin kriteret dhe cilat dalin më të suksesshme në fushën e mjedisit do të shpërblehen me këto mjete”, tha ai.

Matoshi ndër të tjerash theksoi se 2.4 milionë euro do të investohen në fushën e mjedisit dhe 15 milionë të tjera do të investohen në lumenjë të Kosovës.

Deputeti i LDK-së, Driton Selmanaj në replikë tha se ai ka prapë dilema lidhur me këtë çështje.

“Pse e  keni vendosur këtë te projektet kapitale dhe jo te grantet apo subvencionet. Nuk keni dhënë asnjë detaj vetëm se projekti është 1.2 milionësh. Ky më tepër është si shërbim, por s’mund të futet te projektet kapitale, por të grandet dhe subvencionet”, tha ai.

Ndërkaq ministri Matoshi tha se bëhet fjalë për projekte kapitale, sepse ende nuk dihet cilat komuna do të përfitojnë nga mjetet e ndara.

Në Kuvend po diskutohet për projektbuxhetin e vitit 2019.