Dejan Damnjanoviq nga organizata “Urdhëri i Dragoit” publikoi këto fotofrafi në profilin e tij në Facebook në shtator, ku tregon një dronë dhe ato që duken si pajisje të stilit ushtarak para në kishe në veri të Mitrovicës.

Selimi: Shërbimi Sekret Rus nuk Është më Sekret

Pasi BIRN publikoi dje një hulumtim për grupe të momarkistëve serbë dhe djathistëve britanikë që po përgatisin për rezistencë popullatën serbe në veri, duke pasur edhe ndihmën e Rusisë, hulumtimin e komentoi Rexhep Selimi.

Selimi që është zëvendëskryetar i parë i Komisionit për Siguri në Kuvendin e Kosovës, por edhe deputet i Vetëvendosjes, tha se përfshirja ruse në Kosovë nuk është e fshehtë,

“Shërbimi sekret rus në Kosovë nuk është më sekret. Po ashtu edhe linjat e instalimit të këtij shërbimi në Kosovë nuk janë më sekrete”, tha Selimi.

Hulumtimi i BIRN i publikuar gjatë ditës së djeshme tregon se si monarkistët serbë të lidhur me rusët dhe një grup britanik i të djathtës ekstreme po kërkojnë t’i pajisin grupet misterioze serbe në veriun e Kosovës për t’i rezistuar asaj që ata besojnë se do të jetë një sulm ndaj serbëve nga ana e shqiptarëve.

Selimi më tutje deklaroi se aty ku ka struktura paralele, gjendet edhe shërbimi sekret rus.

“Qeveria e Kosovës duhet ta dijë se aty ku i ka lejuar prezencë dhe ndikim Listës Serbe dhe strukturave të Serbisë aty e ka ‘këmbëkryq” edhe Rusinë edhe shërbimin e saj sekret”, tha Selimi.

Për Selimin, prezenca e Rusisë në Kosovë është e rrezikshme.

“Prezenca e Rusisë në Kosovë është e rrezikshme edhe për Kosovën edhe shqiptaret por edhe për partnerët e Kosovës euro-amerikanë. Mbi të gjitha prezenca e shërbimeve sekrete ruso- serbe mbi të gjitha rrezikon paqen dhe paqeruajtësit”, tha Selimi.

Rexhep Selimi

Dje KALLXO.com kërkoi koment për hulumtimin e BIRN-it edhe nga ministri i Punëve të Brendshme Flamur Sefaj, por nuk mori përgjigje prej tij.

Ministri Sefaj që dje bashkë me ministrin e Diasporës dhe Byronë Kosova të Sigurimeve nënshkruan një memorandum bashkëpunimi, tha se nuk komenton çëështjet që nuk lidhen me memorandumin.

“Nuk kemi dalur për të komentuar tema të tjera, qëllimi ynë ka qenë tjetër”, tha ministri Sefaj, duke udhëzuar KALLXO.com që përgjigjen t’ia kërkojë Policisë së Kosovës.

Por as Policia e Kosovës nuk i është përgjigjur pyetjes së KALLXO.com për hulumtimin e BIRN-it.

Hulumtimi tregoi se qëllimi i Rusisë është i orientuar kundër karakterit multietnik të shtetit të Kosovës.