Një gomone e sekuestruar nga Policia shqiptare - Foto: Facebook

Sekuestrohet Gomonia me Vlerë 150 Mijë Euro

Në kuadër të operacionit “Vjeshtë 2017”, që ka të bëjë me sekuestrimin e aseteve të ndryshme të cilat rezultojnë të përfituara në mënyrë të paligjshme, Policia Shqiptare, konkretisht Seksioni për Krimin Ekonomik e Financiar në Vlorë, ka sekuestruar një mjet lundrues tip gomone me vlerë 150.000 euro.

Mjeti lundrues i përket shtetasit A.Ç., 29 vjeç, banues në Elbasan, i cili dyshohet për kryerjen e veprës penale – pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale.

Materialet iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Vlorë për veprime të mëtejshme procedurale.

Ndërkohë Policia në Vlorë do të vijojë punën lidhur me zbatimin e ligjit për vënien para përgjegjësisë ligjore duke sekuestruar të gjitha asetet të cilat rezultojnë të përfituara në mënyrë të paligjshme.