Sekretari i Qeverisë nuk përgjigjet rreth fshehjes së emrave të kandidatëve për bordin e ZRrE-së

Sekretari i përgjithshëm i Qeverisë, Fitim Krasniqi, i cili nuk kishte pranuar të flasë para kamerës në emisionin ‘Drejtësia në Kosovë’, përmes një email-e nga zyra e tij, nuk jep përgjigje në pyetjen se kush i dorëzon vendimet për nënshkrim te Kryeministri, por flet për rrugën para marrjes së vendimit.

“Në emër të Sekretarit ju njoftojmë se, në pajtim me nenin 36 të Rregullores së Punës së Qeverisë, draftet e vendimeve përgatiten nga propozuesi, pas konsultimit me Zyrën Ligjore, Zyrën për Planifikim Strategjik, Zyrën për Komunikim, nga Sekretariati Koordinues i Qeverisë përmes Sekretarit të Zyrës së Kryeministrit dërgohen në Kabinetin e Kryeministrit për konsultim përfundimtar dhe nënshkrim nga kryeministri i Republikës së Kosovës, thuhet në përgjigjen e dhënë në emër të sekretarit Krasniqi.

“Drejtësia në Kosovë”, ka dërguar pyetje shtesë për të marrë përgjigje për gjithë rrugën që duhet ndjekur nga marrja e një vendimi deri te shtypja e tij në letër dhe nënshkrimi nga Kryeministri, por Zyra e Sekretarit dhe ajo e Kryeministrit nuk e kanë parë të arsyeshme të japin sqarime shtesë.

Por, neni 36 i Rregullores së Qeverisë, të cilit i referohet Zyra e Sekretarit të Përgjithshëm, nuk jep sqarime në pyetjen tonë, por flet për dorëzimin e propozimit përfundimtar para mbledhjes së Qeverisë dhe jo pas marrjes së vendimit.

“Gjatë dorëzimit të propozimit përfundimtar në mbledhjen e Qeverisë, Sekretariati do të sigurojë që propozimi të përmbajë..”, sqarohen pikat që duhet të përmbajë propozim vendimi.

Për më tepër, një përgjigje e Zyrës së Kryeministrit thuhet se është konsumuar kjo temë.

“Do të thotë Kryeministri Haradinaj e ka sqaruar për ju se në proces e sipër të marrjes së ndonjë vendimi mund të ndodhin edhe lëshime dhe në këtë rast me ridërgimin e 4 emrave ne si Qeveri po e plotësojmë këtë lëshim. Ndonëse në të dyja rastet ne jemi mirë në raport me interpretimin e rregullores së punës. Në këtë frymë po mendoj që është konsumuar kjo temë”, thuhet në email-in e dërguar nga këshilltarja për media e Kryeministrit.

Hulumtimin e plotë të ‘Drejtësia në Kosovë’ për këtë rast mund ta ndiqni në linkun e mëposhtëm:

www.kallxo.com