Sekiraqa: Vrasjen e Triumfit e Pashë në Gazetë

Në edicionin e së premtes, emisioni “Drejtësia në Kosovë” ka transmetuar një pjesë të intervistës së realizuar me Enver Sekiraqën, pak ditë para se ai të dorëzohej në EULEX.

Në bisedën me gazetarin Petrit Kryeziu, Sekiraqa kishte thënë se për vrasjen e Triumf Rizës kishte kuptuar nga gazetat.

“Trumfin e ka vra Arben Berisha, e kam pa në gazetë. Të gjitha janë thashetheme për me e manipulu opinionin”, ka thënë Sekiraqa.

Ai ka mohuar ta ketë njohur dorasin Arben Berisha ndërsa ka mohuar edhe mundësinë që t’i ketë dhënë urdhër Berishës për të kryer vrasjen.

“Nuk kam pasë për çka me i dhanë urdhër, nuk ka qenë ushtar i imi. Pse ta vras unë Triumfin, nuk kam pasë asnjë arsye ta vras”, ka thënë Sekiraqa.

Tre vite pas kësaj deklarate Sekiraqa është shpallur fajtor nga gjykata për nxitje të vrasjes dhe është dënuar me 37 vite burgim.

Gjatë tërë procesit gjyqësor, Sekiraqa ka mohuar përfshirjen e tij në vrasjen e policit Riza.

Detajet e rastit dhe intervista ekskluzive me prokurorin e EULEX-it i cili e ka hetuar Sekiraqën janë transmetuar të premten në emisionin “Drejtësia në Kosovë”.

Emisionin e plotë mund ta ndiqni në linkun e mëposhtëm.