Seancë Emocionuese në Gjykimin e Vrasësit të Zejnepes

Në Gjykatën e Apelit sot u trajtuan ankesat e parashtruara nga palët lidhur me aktgjykimin e shkallës së parë, në bazë të të cilit Berisha u dënua me 12 vjet burgim.

“Sytë m’u kanë qorru, qe dy vjet. Mi ka lënë katër jetima”, ka thënë shkurt 83-vjeçja.

Gjatë seancës, avokatja Fehmie Gashi- Bytyqi, përfaqësuese e familjes së dëmtuar, elaboroi ankesën e saj ndaj aktgjykimit të shpallur nga Gjykata e Prizrenit.

“Nuk ka ndodhë një therje me thikë një herë, dy, por kanë ndodhur 24 goditje, përfshirë trupin e të ndjerës Zejnepe dhe trupin e njomë të Elonës, e cila i ka ra nënës së vet përmbi. Nuk ka qenë i vetëdijshëm edhe në momentin kur sipas deklaratës së Elonës, e njëjta e dëgjon nënën e vet duke e lutë bashkëshortin ‘Aman mos më msho’. Kjo është një vrasje mizore që nuk di në ndonjë praktikë të botës të ketë ndodhur dhe të ketë shpëtu kryerësi me një dënim aq të ulët”, tha avokatja Gashi- Bytyqi.

Më tej, avokatja theksoi se për këtë vepër penale me Kodin e ri Penal parashihet dënimi me burg të përjetshëm.

Pas avokates, fjalën mori nëna e Zejnepes, e cila në këtë proces konsiderohet palë e dëmtuar.

Me lot në sy, 83-vjeçja tregoi për vuajtjet e së bijës.

“16 vjet mi ka sjellë gazep çikës, s’ma ka lonë gjo me bo, a ka ikë, a ka dalë n’mal prej sikletit as te unë nuk ka guxu me ardhë, as n’shpi t’vet”, tha nëna e viktimës.

Ankesë kundër aktgjykimit të shkallës së parë ka parashtruar edhe mbrojtësi i të akuzuarit.

Avokati Esat Gutaj kërkoi që klienti i tij të dërgohet në trajtim neuropsikiatrik të përhershëm ose në të kundërtën çështja të kthehet në rigjykim.

“Ky ka nevojë për trajtim neuropsikiatrik e jo për dënim, sepse njerëzit që nuk janë të përgjegjshëm për veprimet e veta nuk kanë vend në burg”, tha Gutaj.

Ndërkaq i akuzuari Nebih Berisha mbështeti fjalën e avokatit të tij mbrojtës dhe nuk kishte asgjë për të shtuar.

E pas seancës, aktivistët pjesëmarrës në protestën “Drejtësi për Zejnepen” e kritikuan avokatin mbrojtës dhe vëllain e të akuzuarit.

“Pardje jam kanë me pa, kam ardhë prej Italisë me gjithë nanën edhe në rrotë të s’amës na ka çu. Pardje, hiç ma larg jam kanë edhe nuk deshti me ni”, tha Berisha.

Protesta ishte organizuar nga Rrjeti i Grave të Kosovës, i cili ka nënshkruar një marrëveshje me Rrjetin Ballkanik për Gazetari Hulumtuese për monitorimin e rasteve të dhunës në baza gjinore.

http://kallxo.com/avokatja-shteti-nuk-e-mori-seriozisht-rastin-e-zejnepes/