Seanca Kundër Sinës Shtyhet për Mungesë të Ekspertizës

Byroja Penale e Stambollit “Unisal Tecnic” e autorizuar nga gjykata për kryerjen e ekspertizës së zërit në rastin Sina, ende nuk e ka kryer punën e saj, edhe pse afatin e kishte deri më 15 tetor. Kjo ekspertizë është paguar 7 mijë e 500 euro.

Trupi gjykues, prokurori i rastit, i akuzuari Skender Sina dhe avokati i tij, ishin të pranishëm në seancën e gjykimit të mbajtur të enjten ne Gjykatën Themelore në Pejë.

Në gjykatore nuk ishte i dëmtuari Hasan Berisha dhe as mbrojtësi i tij, po ashtu mungonte edhe raporti i shumëpritur i një ekspertize lidhur me ketë rast.

Sina u dënua me 1 vit burg në mars të vitit 2014, pasi akuzohej për marrje të mitës prej 20 mijë eurove.

Ai u obligua që paratë të marra t’ia kthejë të dëmtuarit Hasan Berisha. Por Gjykata e Apelit ktheu rastin në rigjykim më 16 maj, pasi avokati i të dënuarit ishte ankuar.

Për këtë rast ekzistojnë disa incizime të bisedave mes të akuzuarit dhe të dëmtuarit, të cilave Apeli kërkoi t’u bëhet ekspertizë për t’u vërtetuar, ose për t’u hedhur poshtë akuza kundër Sinës.

Më 9 tetor, ekspertët nga Stambolli kishin ardhur në gjykatë për të marrë mostrat e zërit nga i akuzuari, me qëllim që të bëhet ekspertiza e zërit te tij dhe të vërtetohet sa a është zëri i të akuzuarit në ato incizime.

Në atë seancë, kryetrari i trupit gjykues Sali Berisha kishte kërkuar nga ekspertët që raportin lidhur me këtë ekspertizë ta sjellin më së largu deri më 15 tetor 2014.

Të enjten, trupi gjykues i drejtuar nga gjykatësi Sali Berisha deklaroi se nuk ka kushte për mbajtjen e kësaj seance, pasi që nuk ka arritur raporti i ekspertëve nga Stambolli.

“Ne sot kemi marrë një e-mail nga konsulli i Kosovës ne Stamboll Ali Kamberi se raporti nuk është gati ende“, tha kryetari i trupit gjykues.

Pas këtij  njoftimi, prokurori i rastit Agron Matjani kërkoi shtyrjen e seancës, duke deklaruar se pa raport te ekspertizës nuk mund te mbahet seanca.

Prenk Pepaj,  avokati i Skender Sinës dhe vetë i akuzuari, kërkuan nga gjykata që seancën ta caktojnë 5 ditë pasi të vijë raporti i ekspertizës, duke u bazuar në nenin 138 të Kodit të Procedurës Penale dhe mundësisht me 24 tetor, çka i bie 24 orë para se të vjetrohet kjo lëndë.

Ky nen tregon se çfarë duhet të përmbajë një raport i ekspertit dhe cilat kushte duhet të plotësojë për të qenë i ligjshëm.

Si avokati i tij në seancën e 9 tetorit, Skender Sina kundërshtoi çmimin e ekspertizës.

“Ekspertiza që është bërë lidhur me zërin, sipas faqes së kësaj kompanie [Unisal Tecnik] kushton 200 funte, ndërsa këtu çmimi i kësaj ka kushtuar 7.500 euro“, tha Sina.

Gjykata Themelore në Pejë akuzonte Sinën se në vitin 2004 si zyrtar i NSh “Gjeodezia” i ka marrë 20 mijë euro mitë nga i dëmtuari në këtë rast Hasan Berisha, për përkthimin e disa pronave të blera më herët nga i dëmtuari.

Lidhur me ketë akuzë, Sina qe dënuar me një vit burg nga ish-Gjykata Komunale ne Deçan në vitin 2005, por pas ankesës dënimi ishte pezulluar.

Gjykata e Qarkut në Pejë si shkallë e dytë, pas dy vjetësh mori vendim që lënda të kthehej në rigjykim, me arsyetimin se incizimet e paraqitura nga i dëmtuari duhet të dërgohen për analizë në një laborator të forenzikës.

Lënda qysh me herët rrezikonte të vjetërsohej, por pasi një edicion i emisionit “Drejtësia në Kosovë” u mor me këtë çështje në fillim të shkurtit, Gjykata Themelore e Pejës caktoi seancë për rastin Sina më 5 shkurt.

Seanca lidhur me ketë rast do te mbahet më 20 tetor.