Ministri Skender Reçica me homologun maltez, Evarist Bartolo - Foto: Facebook/SkenderRecica

Së shpejti marrëveshje për punësim sezonal me Maltën

Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Skender Reçica ka njoftuar se së shpejti do të ketë një marrëveshja për punësim me Maltën, shtet anëtar i BE-së.

Me ftesë të ministrit të Familjes, të Drejtave të Fëmijëve dhe Solidaritetit Social, Michael Falzon, këto ditë ministri Reçica është duke zhvilluar një vizitë zyrtare në Maltë.

Ministri Reçica tha se në takim me ministrin e Edukimit dhe të Punës së Maltës, Evarist Bartolo, ka diskutuar mundësitë e bashkëpunimit në fushën e punësimit dhe edukimit profesional.

“Me ministrin ramë dakord për nënshkrimin e Marrëveshjes së Bashkëpunimit në fushën e punësimit dhe angazhimit sezonal të qytetarëve të Kosovës, në shtetin e Maltës, ku u pajtuam për intensifikim të procesit, në mënyrë që kjo marrëveshje të finalizohet sa më parë”, ka shkruar ministri Reçica në Facebook.

Me këtë rast, është ftuar ministri Bartolo për vizitë në Prishtinë për të nënshkruar marrëveshjen për punësim sezonal.