Ambasadori amerikan në Beograd - Foto: REL

Scott: Në zemër të marrëveshjes, njohja e Kosovës

Ambasadori Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Beograd, Kyle Scott, ka deklaruar se Uashingtoni nuk tërheq “vija të kuqe” kur është fjala për zgjidhjen e çështjes së Kosovës.

Në zemër të marrëveshjes Kosovë-Serbi duhet të jetë njohja reciproke, ka theksuar diplomati amerikan.

Scott ka thënë për “Kurir”-in se SHBA-ja do të mbështes çdo zgjidhje për të cilën merren vesh të dyja palët, e e cila mund të qëndrojë dhe të jetë afatgjate.

“Ne nuk tërheqim ‘vija të kuqe’, nuk përcaktojmë se çfarë do të ndodhë, dhe nëse ajo që ata merren vesh stabilizon rajonin, nëse ajo mund të zbatohet dhe të jetë e përhershme, atëherë me siguri se do ta mbështesim. Presim që vet palët të arrijnë marrëveshje nën ombrellën e Bashkimit Evropian”, ka thënë Scott.

Ndërsa, ambasadori u shpreh se marrëveshja për normalizim të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë duhet të përfshijë edhe shumë gjëra tjera, siç janë marrëveshja për marrëdhënie ekonomike, zgjidhjen e statusit të kishës ortodokse serbe, çështjen e personave të zhdukur, krimet e luftës, e të tjera.

“E them se ka shumë elementë që duhen përfshirë në marrëveshje, por ne besojmë se njohja reciproke duhet të jetë në zemër të marrëveshjes për normalizim”, deklaroi Ambasadori Amerikan në Beograd, Kyle Scott./RTK/