Kreu i SPD-së gjermane, Martin Schulz - Foto: REL/AP

Schulz Bën Thirrje për Formimin e 'Shteteve të Bashkuara të Europës'

Kreu i Social-Demokratëve të Gjermanisë, Martin Schulz, partner i mundshëm qeverisës i kancelares Angela Merkel, bëri thirrje për krijimin e “Shteteve të Bashkuara të Europës” deri në vitin 2025.

Schulz, në kongresin e partisë së tij në Berlin, tha se Europa duhet të jetë më e bashkuar dhe federale.

“Dua një traktat kushtetues europian që krijon një Europë federale”, tha Schulz, ish-president i Parlamentit Europian.

Ai tha se vetëm një Europë më e bashkuar mund të përballet me sfidat si ndryshimet klimatike apo menaxhimi i migrimit masiv, mund të detyrojë gjigantët e internetit, si Google dhe Facebook, të respektojnë të drejtat civile, ose mund t’i pengojë kompanitë e mëdha që t’iu shmangen taksave.

“Europa është sigurimi ynë jetësor”, tha ai.

Schulz po ashtu tha se vetëm një BE e fuqishme do të ndalonte përparimin e nacionalistëve të krahut të djathtë, duke përmendur këtu fitoret e tyre në Gjermani, Austri, Danimarkë, Finlandë, Francë dhe Holandë. (REL)