SBAShK:Sot nuk u mbajt mësimi në shumicën absolute të shkollave

Po vazhdon lufta në mes Ministrisë së Arsimit dhe Sindikatës së Mësimdhënësve lidhur me kompensimin e orëve të humbura nga greva tre javëshe e sindikatës që u mbajt në janar.

Sipas vendimit të MAShT-it, orët e humbura duhet të kompensohen duke hequr pushimin pranveror, duke shtyrë përfundimin e vitit shkollor dhe duke mbajtur mësim në pesë të shtunë.

Megjithatë, sindikata ka kundërshtuar fuqishëm duke bojkotuar mësimin në këto ditë të parapara dhe duke paditur MAShT-in.

Sot, sipas SBAShK-ut, shumica e shkollave nuk kanë mbajtur mësim ndërsa MAShT deri më tani ka qëndruar i heshtur lidhur me këtë çështje.

“Nga raportet e arritura  nga komunat e Kosovës  vërehet se shumica absolute e shkollave të  Kosovës sot nuk kanë punuar . Kjo do të thotë se ato respektojnë në tërësi  vendimin e Këshillit Drejtues që orët e humbura të grevës të mos kompensohen, por të pritet vendimi meritor i Gjykatës Themelore në Prishtinë  pasi që SBASHK ka dërguar  padi në këtë Gjykatë ndaj vendimit të MASHT lidhur me kompensimin e orëve të humbura në grevë.”, thuhet në njoftimin e SBAShK-ut.

“Ka raste në ndonjë komunë, aty e këtu, kur është tentuar të mbahet mësimi në ndonjë shkollë, por numri i nxënësve ka qenë tepër i vogël dhe  kjo tendencë e ndonjë drejtori a DKA-ja ka shkuar e kotë. “, shtuan ata.

Ata i bënë thirrje “MASHT-it, Drejtorive Arsimore Komunale dhe edhe ndonjë drejtori tekanjoz që të lënë  presionet  dhe tendencën për të krijuar situatë se gjoja po zëvendësohen orët e humbura në grevë”.

https://kallxo.com/injorohet-vendimi-i-masht-ne-shume-shkolla-nuk-mbahet-mesimi/