Mbledhja e Keshillit Drejtues, Foto: KALLXO.com

SBAShK-u në Prishtinë kundërshton formën e kompensimit të orëve

Pas vendimit të Komunës së Prishtinës që orët e grevës të kompensohen duke u mbajtur ora e shtatë, SBAShK-u e ka kundërshtuar atë.

Kryetari i SBASHK-ut në Prishtinë, Ahmet Pllana, tha për KALLXO.com se nuk do të kompensohet asnjë orë deri në plotësimin e kërkesës për rritjen e koeficientit për mësimdhënësit e klasave 1 deri në 5.

“Qëndrimi ynë ka qenë që orët e grevës mos të zëvendësohen derisa nuk plotësohen kërkesa për rritjen e koeficientit të mësimdhënësve prej 1 deri në 5 që e ka premtu ministri, deri sa ai nuk e realizon këtë, ne nuk do ta mbajnë jo orën e shtatë po asnjë ditë mësimi”, tha Pllana.

Ai tha se e kundërshton këtë vendim sepse në shkollat e Prishtinës mbahet mësim me dy ndërrime dhe nuk ka mundësi ora e shtatë të mbahet.

Komuna e Prishtinës ka filluar që të gjejë mënyrën se si t’i kompensojë orët e humbura gjatë grevës së mësimdhënësve.

Drejtoresha e Arsimit në këtë komunë, Shpresa Shala tha se tashmë ka disa ditë që shkollat e kryeqytetit janë duke e mbajtur orën e shtatë për t’i zëvendësuar orët.

https://kallxo.com/shkollat-e-prishtines-kompensojne-oret-e-greves-me-oren-e-7-te/

Komuna e Obiliqit ishte e para që kishte vendosur për formën e kompensimit të orëve të humbura, duke vendosur që ato të kompensohen të shtunave dhe po ashtu në ditët e festave zyrtare. 

Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë ka vendosur me 15 prill që zëvendësimin e orëve të humbura gjatë grevës tri javëshe të mësimdhënësve t’ia lë në duar Drejtorive Komunale të Arsimit.