SBAShK-u ‘kërcënon’ sërish me greva në shtator

Sindikata e Bashkuar për Arsim, Kulturë dhe Shkencë (SBAShK) ka paralajmëruar për një grevë të mundshme në fillim të vitit shkollor për shkak të pakënaqësisë që ata e kanë me Projektligjin për pagat.

Përfaqësuesit e kësaj sindikate janë takuar sot me Ministrin e Arsimit, Shyqyri Bytyqi për t’ia adresuar dy kërkesa të tyre.

Njëra prej to është lidhur me Projektligjin për nivelizimin e pagave për të cilën përfaqësuesit e SBAShK thonë se i rendit mësimdhënësit në një koeficient të ulët.

“Kryetari i SBASHK-ut i ka kujtuar  edhe një herë ministrit Bytyqi se nëse kjo çështje nuk përfillet dhe nuk veprohet për përmirësimin e lëshimeve në Ligjin për pagat, atëherë SBASHK-u do të veprojë duke respektuar zërin e punëtorëve të arsimit dhe se viti i ri shkollor do ta gjejë në grevë të përgjithshme në tërë sistemin arsimor të Kosovës”, thuhet në komunikatë.

Ata po ashtu kanë ripërsëritur shqetësimin e ngritur nga mësimdhënës të arsimit të mesëm të lartë lidhur me paralajmërimet nga disa DKA se do të nis së zbatuari Udhëtimi Administrativ 6/2015  e që ka të bëj me shpalljen e konkursit për  vendet e punës për të gjithë ata që deri në përfundim të vitit shkollor 2017/2018 nuk kanë arritur te titulli master për lëndët e tyre.

Kryetari Jasharaj i ka thënë Ministrit Bytyqi  se është e padrejtë dhe e papranueshme të veprohet sipas atij Udhëzimi Administrativ  sepse mësimdhënësve në arsimin e mesëm të lartë nuk u është krijuar mundësia që të ndjekin programet adekuate për të marrë titullin master.

Sipas njoftimit,ministri Bytyqi është përgjigjur se nuk ka vend për shqetësim pasi në MASHT është formuar komisioni që do ta analizojë Udhëzimin e përmenduar Administrativ dhe do të  zgjas afatin  duke u dhënë mundësi të punësuarve në arsimin e mesëm të lartë të vazhdojnë me ngritjen profesionale për të arritur te titulli master.

Ai ka shtuar se këto afate nuk mund të shtyhen në pafundësi.