Ministri Arsim Bajrami dhe kryetari i SBASHK, Rrahman Jasharaj, në ceremoninë e nënshkrimit të Kontratës Kolektive. Foto: KALLXO.com

SBAShK-u Fiton Gjyqin e Parë Ndaj Komunave për Kontratën Kolektive

SBAShK kishte paditur të gjitha komunat e Kosovës për shkak se sipas saj nuk është respektuar Kontrata Kolektive për mësimdhënësit, ku parashihet edhe pagesa shtesë pas pensionimit si shpërblim jubilar.

Sipas SBAShK-ut Kontrata, të cilën e ka nënshkruar bashkë me Ministrinë e Arsimit, parasheh se për të punësuarit në arsim, që janë anëtarë të SBAShK-ut, me rastin e pensionimit të gëzojnë tri paga shtesë.

Aprovimi i kësaj padie kundër sipas SBAShK-ut paraqet një betejë të fituar në rrugën e fillimit të ‘luftës’ me komunat e tjera për zbatimin e kësaj kontrate.

“Në këtë mënyrë SBAShK-u fitoi në gjykatë betejën e  parë me komunat dhe të 13 anëtarët e pensionuar të  kësaj Sindikate do të marrin vlerën e 3 pagave në emër të shpërblimit jubilar dhe vlerën e 3 pagave në emër të pagave përcjellëse me rastin  e pensionimit”, thuhet në komunikatën e SBAShK-ut.

Sindikata shpreson po ashtu se një rezultat të tillë do të marrin edhe nga gjykatat në komunat e tjera të Kosovës.

“SBAShK-u pret që shumë shpejt edhe gjykatat nëpër komunat e tjera të nisin me seancat dhe me procedurën e dëgjimit të palëve dhe të administrimit të provave  në mënyrë që gjithë anëtarët e kësaj sindikate të pensionuar në vitet 2015 e 2016 të marrin shumën e 6 pagave, ashtu si ua garanton Kontrata Kolektive e nënshkruar nga  SBAShK dhe MAShT”, vazhdon tutje njoftimi.

Rreth moszbatimit të kësaj kontrate në prill të këtij viti ka shkruar edhe “Gazeta Jeta në Kosovë”.

Kontrata e Pazbatuar Kolektive