Foto: Atdhe Mulla

SBAShK-u apel MAShT-it: Ndërpriteni presionin ndaj mësimdhënësve grevistë

Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës përmes një njoftimi ka deklaruar se ndaj mësimdhënësve grevist po ushtrohen metoda të ndryshme presioni.

Disa prej tyre thuhet të jenë pengimi i tyre për të arritur në vendin e punës dhe ndërprerja e ngrohjes në shkollat ku po mbahet greva.

“Kjo kontribuon në rritjen e diferencës mes qëndrimeve të përfaqësuesve të arsimit dhe punëdhënësve prandaj ju bëjmë apel MASHT-it, DKA-ve dhe Drejtorive komunale ti lënë përpjekjet e kota për të tentuar që të thehet greva pasi grevistët janë këmbëngulës të qëndrojnë në grevë deri në realizimin e kërkesave të tyre në të gjitha rrethanat përndryshe e detyron SBAShK-un të zbaton pikën 3.1 të nenit 10 të Ligjit për greva që mundëson që të punësuarit të mos paraqiten fare në vendin e tyre të punës.”, thuhet në njpftimin nga SBAShK-U.

Kjo sindikatë u ka bërë thirrje Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Drejtorive Komunale të Arismit dhe drejtorëve të institucioneve arsimore që sa më shpejt të realizojnë kërkesat e tyre.

Tutje në njoftim thuhet se nëse vazhdohet mospërmbushja e këtyre kërkesave ata nuk do t’i zëvendësojnë orët e ditët e humbura nga greva, përveç nëse punëtorët e arsimit vendosin ndryshe.

“Duke u bazuar në të dhënat e më parshme i drejtohemi institucioneve të gjejnë kurajë për ngritjen e koeficienteve për 30 % nga punëtorët tekniko-ndihmës e deri te Rektori ose nga çerdhet deri te universitetet apo varianti tjetër më i mirë i mundshëm duke pasur parasysh se ky ligj ka shumë mangësi për të punësuarit në sektoret publike me kualifikim të njejtë dhe për punë të ngjashme të tërhiqet ky ligj në mënyrë që të ulen bashkërisht institucionet me punëtorë dhe të bëjnë një ligj i ri ku të gjithë sektorët do të jenë të ranguar në vendin e tyre meritorë.”, thuhet në njoftimin e lëshuar nga SBAShK-u.