SBASHK-u ankesë ndaj vendimit të gjykatës që i hodhi poshtë padinë

Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës ka deklaruar se janë të pakënaqur me vendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë, e cila i ka dhënë të drejtë vendimit të ministrit të Arsimit, Shyqiri Bytyqi për zëvendësimin e orëve, prandaj kanë paralajmëruar ankesë në Gjykatën e Apelit.

Sipas tyre, Gjykata Themelore në Prishtinë ka vendosur pro vendimit të Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, lidhur me kompensimin e orëve të humbura në grevën e janarit.

“Nuk është bazuar në argumente, por në emocione momentale e madje fitohet përshtypja se edhe ka qenë e ndikuar politikisht nga deklaratë e disa prej institucioneve, debateve të një pjese të deputetëve në seancën e jashtëzakonshme të Parlamentit dhe nga individë të ashtuquajtur Këshillë të Prindërve.”, thuhet në njoftimin e tyre.

SBAShK ka kritikuar Ministrinë e Arsimit duke thënë se po mundohen që të humbin efektin e grevës përmes vendimit të gjykatës.

Udhëzimi Administrativ i UNMIK-ut, për kompensimin e orëve të pa realizuara nga mësimdhënësit, i cili ka bazë ligjore të shfuqizuar, po tentohet të fuqizohet thuhet tutje në reagimin e tyre.

“Udhëzim ky që nuk ka bazë ligjore sepse ka të bëj me Ligjin nr. 2004/37 për Inspektoratin e Arsimit në Kosovë , i cili është shfuqizuar me Ligjin për inspektoratin e arsimit në Republikën e Kosovës nr. 06/L-046 të datës 10.08.2018 të aprovuar nga institucionet e Republikës së Kosovës.”, është shkruar në komunikatë.

SBAShK deklaron se do t’i drejtohet Gjykatës së Apelit, për arsye se konsiderojnë se Gjykata Themelore në Prishtinë, ka bërë konstatim të gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike.

Si dhe zbatim të gabuar të së drejtës materiale dhe shkeljes së dispozitave të procedurës së përgjithshme administrative.