SBAShK sqaron pse e la takimin me DKA-të dhe MAShT-in

Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë ka reaguar pas vendimit të MAShT për bartjen e përgjegjësive te drejtoritë komunale të arsimit (DKA) për kompensimin e orëve të humbura.

SBAShK, që ishte pjesë në takimin e sotëm por e la para përfundimit, përmes një komunikate ka sqaruar se çfarë ishte diskutuar brenda.

“Tensionet në takim janë shtuar pas fjalës se drejtorit të DKA-së në Obiliq , i cili pa as edhe një argument ka thënë se greva nuk ishte e ligjshme dhe se për nisjen e grevës është dashur të konsultohej edhe ai.  Kësaj i është kundërpërgjigjur me argumente nënkryetari i BSPK-së, prof. dr. Atdhe Hykolli  duke sjellë edhe në këtë takim mbështetjen e plotë të Bashkimit të Sindikatave të Kosovës për SBAShK-un  dhe duke e argumentuar se greva ishte legale dhe e ligjshme , ashtu si është i ligshim edhe vendimi i Këshillit Drejtues që të mos kompensohen orët e humbura në grevë ngase për këtë nuk i obligon grevistët ligji i grevave”, thuhet në komunikatë.

Sipas tyre, argumente shtesë për qëndrimin e drejtë të SBAShK-ut kanë dhënë edhe përfaqësuesi tjetër i Sindikatës, Rexhep Sadiku dhe nënkryetarja Vjollca Shala.

“Duke parë se debati po merrte kahe tjetër përfaqësuesit e SBAShK-ut kanë lëshuar këtë takim  duke përsëritur zërin e punëtorëve të arsimit. Ata u kanë thënë drejtorive arsimore që të mos marrin obligime që nuk u takojnë dhe të mos bëjnë presione te mësimdhënësit në komunat e tyre  sepse mësimdhënësit meritojnë respekt e përkrahje e jo presione, të cilat po ndikojnë në pengimin e procesit të rregullt mësimor”, thotë kjo sindikatë.

SBAShK-u i është drejtuar publikisht ministrit të Arsimit, Shyqiri Bytyqi që të fokusohet në problemet aktuale, që sipas tyre po rëndojnë sistemin arsimor më shumë sesa kompensimi i orëve.

“Ministri dhe MAShT duhet të nisin me procesin e trajnimit të mësimdhënësve  për kërkesat e kurrikulave, të nxjerra Udhëzimin Administrativ për të nisur sa më parë implementimi i Ligjit për statutin e punëtorëve të arsimit shqip të Republikës së Kosovës , të angazhohet më shumë në mënyrë të krijohen kushte dhe programi në Fakultetin e Edukimit për të nisur avancimi i mësimdhënësve që janë të punësuar e që kanë 180 kredi, të thuhet se deri ku ka shquar çështja e teksteve të reja shkollore, që janë vonuar tani e dy vite dhe çështje të tjera shumë të rëndësishme”, thotë SBAShK.

Që nga koha kur greva e mësimdhënësve -e iniciuar nga kërkesa për rritje pagash- u ndërpre, Sindikata e Bashkuar për Arsim dhe Ministria e Arsimit nuk po mund të i përafrojnë qëndrimet e tyre në lidhje me këtë çështje.

Më 26 shkurt, MAShT-i kishte marrë vendim që të kompensohen orët e humbura, ku pas kësaj Sindikata e kishte paditur Ministrinë dhe si masë të sigurisë kishte kërkuar pezullimin e  vendimit, mirëpo kjo masë u refuzua nga gjykata.

Formula e zëvendësimit sipas vendimit të MAShT-it ishte që 5 (pesë) ditë të zëvendësohen nga pushimi pranveror, prill 2019, 5 (pesë) ditë të shtuna të zëvendësohen gjatë vitit shkollor 2018/2019; dhe pesë ditë të zgjatet përfundimi i vitit shkollor 2018/2019.