SBAShK po Synon të Lidhet me Qeverinë, Thotë SAKK

Sindikata tjetër që i tubon mësimdhënësit, Sindikata e Arsimit dhe Kulturës e Kosovës (SAKK), Rashit Maliqi, nuk e ka mbështetur ftesën e SBAShK-ut, dhe e konsideron këtë si lëvizje “për interesa personale” të sindikatës më të madhe të mësimdhënësve ne vend.

“Qëllimi i SAKK është që fëmijët të mos i hedhim në rrugë për interesa personale të dikujt”, tha Rashit Maliqi në një intervistë për KallxoLive të drejtuar nga Faik Ispahiu.

Maliqi tha se SAKK kërkon zbatimin e kushteve të kontratës nga qeveria, por apelon te SBAShK që të përdorë “mjete tjera” për realizimin e kërkesave.

Maliqi thotë se prapa kësaj greve qëndron interesi i SBAShK-ut “për t’i ruajtur pozitat” që i kanë e nga të cilat, sipas tij, marrin paga të majme.

“Qëllimi i tyre është të lidhen me qeverinë dhe pas një greve, të dalin si shpëtimtarë të arsimit në Kosovë”, tha Rashit Maliqi.

Ai tha se SAKK, që nga themelimi në korrik të vitit të kaluar, ka arritur t’i tërheqë rreth 7 mijë mësimdhënës si anëtarë.