SBAShK letër deputetëve: Mos e mbështesni vendimin e ministrit Bytyqi

Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës(SBAShK) kërkon nga deputetët e Kosovës që të mbrojnë ligjet dhe të mos marrin parasysh vendimin e ministrit të Arsimit, Shyqiri Bytyqi.

Kryesia e Kuvendit të Republikës së Kosovës sot do të mblidhet për të shqyrtuar kërkesën e 42 deputetëve për seancë të jashtëzakonshme lidhur me çështjen e kompensimit të orëve të humbura të mësimit, gjatë 15 ditëve të grevës së mësimdhënësve të shkollave fillore dhe të mesme.

SBAShK ka publikuar letrën me të cilën i është drejtuar deputetëve duke iu thënë që ‘është më mirë të diskutoni për mungesën e kabineteve të informatikës, kimisë, fizikës, mungesën e sallave të edukatës fizike, për mungesën e kushteve elementare të punës në shumicën e shkollave të Kosovës, se sa të merreni me një vendim jo ligjor të Ministrit Bytyqi.

“Të nderuar deputetë, Ligji për Grevat i Republikës së Kosovës e njeh grevën si veprim demokratik dhe nuk obligon grevistët që orët a ditë e humbura në grevë të kompensohen. Ministri Bytyqi nxori një vendim të pabazuar në ligj dhe bashkë me një pjesë të Drejtorëve të Drejtorive Arsimore, e të disa shkollave filluan një presion të paparë ndaj mësimdhënësve, për kompensim të orëve të humbura në grevë. SBASHK ngriti padi në Gjykatën Themelore në Prishtinë duke kërkuar që institucioni i drejtësisë të vlerësojë ligjshmërinë e këtij vendimi dhe publikisht është deklaruar se do ta respektojë verdiktin e gjykatës. Mendojmë se çdo diskutim më parlament në dobi të vendimit joligjor të Ministrit Bytyqi do të ishte ndërhyrje dhe presion në institucionin e drejtësisë”, thuhet në njoftimin e SBAShK-ut.

Sipas kësaj komunikate, deputetët sot duhet të qortojnë ministrin Bytyqi dhe një pjesë të drejtorëve, të cilët po bëjnë presion për zëvendësimin e orëve të humbura në grevë.

“Të nderuar deputetë, ju informojmë publikisht se nëse vazhdohet me presione ndaj mësimdhënësve për të zëvendësuar orët e humbura gjatë grevës , SBASHK-u duke dëgjuar zërin dhe kërkesën e punëtorëve të arsimit të Kosovës do të shpall grevë si reagim ndaj këtyre presioneve”, thuhet tutje në njoftim.

Mes tjerash, SBAShK ka theksuar se mësimdhënësit e Kosovës janë unik në respektimin e vendimit të Këshillit Drejtues të SBASHK-ut, që të mos kompensohen orët e humbura gjatë grevës as të shtunave, as në pushimin pranveror e as ndonjë herë tjetër.

https://kallxo.com/thirret-seance-e-jashtezakonshme-per-kompensimin-e-oreve-te-humbura-ne-arsim-2/