SBAShK Konteston Numrat e Ministrit Arsim Bajrami

Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBAShK) u ka bërë thirrje mësimdhënësve dhe nxënësve që nesër ta vazhdojnë procesin normal arsimor në të gjitha shkollat e Kosovës.

Lutfi Mani, nënkryetar i SBAShK, tha për KallxoLive të drejtuar nga Faik Ispahiu se procesi do të vazhdojë deri më 22 janar, në pritje të lëvizjes së qeverisë nga pozicioni i saj.

“Nesër vazhdon mësimi normalisht. I ftojmë gjithë arsimtarët të shkojnë në shkollë deri më 22 janar. Më 22 janar, nëse nuk ka implementim të kontratës,  do të mbahet grevë dyorëshe. Ndërsa më 30 janar do ta kemi grevë njëditëshe. Nëse nuk ka asgjë, Këshilli Drejtues do të vendos për hapat e mëtejmë”, tha Mani.

Ai ka kontestuar shifrat e prezantuara nga ministri i Arsimit, Arsim Bajrami se 61 institucione arsimore nuk iu kanë përgjigjur grevës së sotme njëorëshe të arsimtarëve.

“Deklarata e ministrit Bajrami nuk është e saktë… Janë 31 shkolla në tërë Kosovën që nuk iu kanë përgjigjur grevës”, tha nënkryetari i SBAShK-ut.