Greva ne arsim - SBAShK-u ne Komunen e Lipjanit - 16.01.2019 - FOTO KALLXO 5

SBAShK: Greva vazhdon

Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBAShK) njofton se ka vendosur që greva në arsim e filluar të hënën të vazhdojë edhe më tutje.

Në njoftim, SBAShK tregon për takimin e sontëm në Qeveri, ku kryetari Rrahman Jasharaj është takuar me kryeministrin Ramush Haradinaj dhe ministrin Shyqiri Bytyqi,  ku shefi i Qeverisë ofroi ofertën për ngritje të koeficientit të pagave për punonjësit e arsimit prej 0.2 vetëm për mësimdhënësit e arsimit parauniversitar (nga çerdhet e deri tek shkollat e mesme), që është rreth 10 % e ngritjes së koeficientit.

“Kjo ofertë nuk i plotëson kërkesat e SBASHK-ut, aq më shumë pasi që nuk janë përfshirë punëtorët teknikë, punëtorët administrativë si dhe i tërë sistemi universitar”, thuhet në komunikatën e Sindikatës.

Prandaj, greva vazhdon edhe ditët në vijim “më shpresën se dialogu do të vazhdojë deri në plotësimin e kërkesave të anëtarësisë”.

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, tha sonte se është takuar me kryetarin e SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj, të cilin e ka njoftuar për vendimin e Qeverisë për rritjen e pagave për mësimdhënësve të sistemit parauniversitar.

Ka një rritje substanciale të pagave, tha Haradinaj, duke theksuar se për këtë rritje janë dakorduar të gjithë, përfshirë edhe partitë opozitare.

Haradinaj tha se për këtë rritje e ka njoftuar edhe kryetarin e SBASHK-ut, të cilit i ka kërkuar ndërprerjen e grevës.

Siapas kryeministrit, rritja për mësimdhënësit e shkollave të mesme do të jetë 74 euro nga paga aktuale.

Për arsimin fillor nga 479 aktual në 525.8, pra rritja është 46 euro.

https://kallxo.com/dorezohet-haradinaj-rrit-pagat-per-mesimdhenesit/

Për mësimdhënësit e sistemit parashkollor nga 447.9 sa është tani rritja është në 501 euro.

Kurse për kategorinë e mësimdhënësve të shkollave speciale, rritja do të jetë për 49.8 euro.

Haradinaj tha se e ka ftuar Këshillin Drejtues të SBAShK-ut që ta shqyrtojë këtë ofertë dhe të marrë vendim të arsyeshëm.