FOTO: Atdhe Mulla

SBAShK do të shqyrtojë kompensimin e orëve të humbura nga greva

Tre javë të humbura të mësimit të nxënësve kosovarë ende janë në diskutim për t’u kompensuar, përderisa njohës të fushës e konsiderojnë këtë kompensim të domosdoshëm.

Rreth 300 mijë nxënës të shkollave të Kosovës gjysmë vjetorin e dytë shkollor këtë vit e kishin filluar pak më vonë se herave të tjera. E kjo ishte bërë për shkak të mos kënaqësive të mësimdhënësve të tyre për Projektligjin për Paga.

Greva filloi me 10 janar dhe që nga fillimi i saj kryetari i SBAShK, Rrahman Jasharaj kishte filluar vizitën në të gjitha shkollat në vend, për të shprehur përkrahjen e tij për mësimdhënësit. Në mënyrë që të ndërpritet ajo, kryeministri I Kosovës, Ramush Haradinaj kishte bërë një ofertë për ta, por nuk e pranuan.

Në mënyrë që të arrihet një konsensus për këtë grevë u mblodh edhe komisioni parlamentar për Arsim, por se as aty nuk u gjet një gjuhë e përbashkët që të ndërpritet ajo.

Por pas tre javësh, kryekuvendari, Kadri Veseli dhe kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj kishin bërë një ofertë të re për mësimdhënësit. Aty SBAShK-u pranoi këtë ofertë më të ulët se kërkesa e tyre që ishte 30%, më saktësisht rreth 20 për qind rritje të koeficientit të pagës.

E tani që kanë kaluar një javë që ka rifilluar procesi mësimor në të gjitha shkollat e Kosovës, çështja tjetër e cila pret zgjidhje është se si do të kompensohen 14 orët e humbura gjatë kësaj kohe.

Sipas Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë kjo gjë do të vendoset së shpejti, ndërsa nga SBAShK-u thonë se do të mundohen të arrijnë një konsensues. Kurse sipas ekspertëve të arsimit, orët e humbura duhet të zëvendësohen.

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi gjatë ditës së sotme ka zhvilluar një takim me drejtorët komunal të Arsimit, por se nuk ka dhënë një vendim përfundimtar për kompensimin e këtyre orëve.

“Pas diskutimeve të shumta dhe sugjerimeve të marra nga përgjegjësit e arsimit nëpër komuna, MAShT do të dalë me një vendim të detajizuar për kompensimin e orëve të humbura”, ka shkruar Bytyqi në profilin e tij në Facebook.

Megjithëse Sindikata e Bashkura për Arsim, Kulturë dhe Shkencë gjatë grevës kishte deklaruar se këto orë nuk do të kompensohen, tani kjo sindikatë thotë se do të mundohen ta gjejnë një mënyrë që të bëhet zëvendësimi i tyre.

Vjollca Shala nënkryetare e SBAShK tha për Gazetën Jeta në Kosovë se kanë kërkuar nga kryetarët e kësaj sindikate nëpër komuna që të bisedojnë me mësimdhënësit.

“Sa i përket kompensimi të orëve e kemi thënë edhe më herët se sipas Ligjit për Greva nuk janë të obliguar që të bëjnë zëvendësimin e orëve. Mirëpo ne si SBASHK kemi kërkuar nga kryetarët e niveleve komunale që të bisedojnë me kryetarët e shoqatave dhe me anëtarësinë në mënyrë që të gjendet forma për zëvendësimin e orëve mësimore”, tha ajo.

Edhe eksperti i Arsimit, Dukagjin Pupovci është i mendimit se orët e humbura gjatë grevës së mësimdhënësve duhet të zëvendësohen.

“Për shkak të grevës janë humbur 14 ditë pune nga gjithsej 185 sa i ka viti shkollor dhe kjo paraqet dëm të konsiderueshëm për nxënësit. Ky dëm mund të riparohet pjesërisht me zëvendësimin e orëve të humbura dhe unë besoj fuqimisht se këto orë duhet të zëvendësohen. Për më tepër, konsideroj se deklaratat e zyrtarëve të SBASHK që kanë pohuar të kundërtën gjatë grevës, kanë pasur për qëllim ta përforcojnë pozicionin e tyre negociator në raport me Qeverinë, e jo ta vënë në pyetje një obligim moral dhe ligjor të secilit mësimdhënës, e kjo është që ta mbajë mësimin”, tha Pupovci për Gazetën Jeta në Kosovë.

Ai shtoi se MASHT-i duhet ta përpilojë sa më parë kalendarin e ri shkollor ku parashihet zëvendësimi i orëve të humbura.

“Kjo mund të arrihet duke e hequr nga kalendari pushimin pranveror, duke e zgjatur vitin shkollor për disa ditë ose duke punuar të shtunave”, theksoi Pupovci.

Ndërsa, vlen të theksohet se  në Ligjin për arsimin parauniversitar në Kosovë thuhet se “Ministria duhet të nxjerrë akte nënligjore lidhur me: kalendarin shkollor dhe periudhën kohore të vitit shkollor në kuadër të Kornizës së Kurrikulumit të Kosovës dhe kohëzgjatjen e orës së mësimit dhe pushimeve shkollore ose festat”.

Në bazë të udhëzimit të MASHT-it, nxënësit e shkollës së mesme të lartë-maturantët janë të obliguar të mbajnë 160 ditë mësim ose 32 javë.
Nxënësit e klasës 9,10, dhje 11 janë të obliguar me 175 ditë mësim ose 35 javë. Kurse nxënësit e klasave 1-8 dhe fëmijët parashkollorë, janë të obliguar me 184 ditë mësim ose 37 javë.

ETIKETA

11 Shkurt 2019 - 15:44

Arbisa Shefkiu 11/02/2019 - 15:44
NDËRVEPRIMI0
Prishtina Insight
NA NDIQNI

Send this to a friend