Sami Lushtaku

Sami Lushtaku Takon Tunë Kqirajn të Akuzuarin për Fajde

KALLXO.com mëson se takimi është mbajtur të mërkurën me datën 18 tetor në njërin prej lokaleve të Prizrenit. Kqiraj dhe Lushtaku janë parë tek pinë kafe.

Takimi është konfirmuar edhe nga vetë Sami Lushtaku në një komunikim me KALLXO.com.

“Unë nuk kam pasë qëllim, jam taku në Prizren rastësisht se kam nejt në burg me to, e kam pas rastin me ndejt në burg me to edhe e kam pa edhe kam ndejt kam pi kafe me to edhe nuk kam pasë asnjë qëllim tjetër”, ka thënë Lushtaku.

Ai ka vazhduar të pretendojë se takimi ishte i rastësishëm dhe pa ndonjë qëllim “Unë nuk e kam mendjen me ik prej njerëzve, pse jam figurë publike tash nuk do të thotë që unë duhet me ik prej njerëzve që kam pas rast me nejt, qoftë ajo sikurse edhe në burg”.

Ai nuk ka komentuar për të kaluarën dhe akuzat ndaj Kqirës dhe faktin se takimi ndodh në prag të zgjedhjeve komunale.

“Nuk më intereson mu le të merret gjykata, prokuroria e policia me to, se unë nuk iki prej njerëzve kushdo të jenë ata. Edhe me juve gazetarëve që po besoj që jeni ma të kqi se shumë do tjerë, kur t’ ju takoj ju foli nuk e kam problem“, ka thëne Lushtaku.

KALLXO.com ka tentuar të marrë qëndrim edhe nga familjarë të Tunë Kqirajt dhe avokati i tij për këtë rast, por me gjithë premtimin se do të flasin, familjarët nuk kanë dhënë detaje.

“Nuk kemi çka me thanë, nuk ka asgjë interesante”, ka thënë njeri nga familjarët e Kqirajt.

Tunë Kqiraj është njëri nga 14 të akuzuarit e rastit të fajdeve në Prizren. Prokurorja Speciale Merita Bina-Rugova e përshkruan Tunë Kqirën si mbikëqyrësin që i ka drejtuar veprimet e këtij grupi kriminal.

“Grupi ka shfrytëzuar gjendjen e rëndë financiare ose papërvojën e të dëmtuarve dhe u ka dhënë para me fajde. Pastaj, duke përdorur kërcënimet e rënda, i kanë detyruar të paguajnë kamata dukshëm jo proporcionale ose të kryejnë ndonjë veprim tjetër në dëm të pasurisë së tyre”, thuhet në aktakuzë.

Sipas Prokurorisë Speciale, gjatë disa viteve të kaluara, të pandehurit Tunë, Kastriot, Gjon, Marjan, Gjekson e Gëzim Kqira dhe Benson Buza kanë vepruar si grup i organizuar kriminal më qëllim të përfitimit të drejtpërdrejtë të dobisë financiare, duke kryer vepra të rënda penale.

Të akuzuar në këtë rast janë: Tunë, Kastriot, Gjon, Marjan, Gjekson e Gëzim Kqira, Benson Buza, Besfort Omaj, Zyrafete Hukolli, Ragip Fazlija, Ekrem Leci, Hil Katinari, Sejdë Kaqorraj dhe Zef Oroshi.

KALLXO.com ka raportuar për ngritjen e aktakuzës nga Prokuroria Speciale kundër këtij grupi.

 

http://kallxo.com/aksioni-policor-ne-familjen-e-dyshuar-per-fajde-video/

Ndërsa, në Rubrikën “Policia”të emisionit “Drejtësia në Kosovë“ janë transmetuar pamjet nga operacioni policor për konfiskimin e pasurive të familjes Kqira.