Sami Lushtaku e Rifat Jashari - Foto: Facebook

Denoncimi i Sami Lushtakut: Njerëzit e PDK e kontrollojnë drejtësinë

Kryetari i PDK-së në Skenderaj, Sami Lushtaku, edhe njëherë ka rikonfirmuar se nuk do ta lëshojë postin e të parit të kësaj partie në këtë komunë, pavarësisht kërkesës së shefit të tij Kadri Veseli.

Lushtaku përmes një postimi në Facebook tha se ai është zgjedhur në këtë post nga votat e anëtarëve të PDK-së dhe se sipas tij, vetëm ata kanë të drejtë ta largojnë.

“Dëshiroj të sqaroj që unë së fundi jam zgjedhur Kryetar i Degës së PDK-së në Skenderaj me mbi 90% të votave nga delegatët e Kuvendit të Degës dhe pastaj anëtar i Këshillit Drejtues në Konventën e IX të PDK-së, në nivelin qendror. Mandatin ma kanë dhënë anëtarët e Partisë Demokratike të Kosovës nga të gjitha nëndegët dhe vetëm ata kanë të drejtë të më ndëshkojnë me votën e tyre për mospunën time”, ka shkruar ish-kryetari i Skenderajt.

Ai po ashtu tha se nuk ka ndonjë aktakuzë që lidhet me korrupsion e asnjë aferë me krim të organizuar.

“Sa për sqarim, nuk është e vërtetë që unë kam ndonjë aktakuzë që lidhet me korrupsion ose ndonjë aferë që lidhet me krim të organizuar apo shpërdorim të detyrës zyrtare. E vetmja aktakuzë, dhe të cilën as tash e tutje nuk e pranoj, lidhet me transferimin tim në organet e zbatimit të drejtësisë në veri, ku konsideroj se do të rrezikohej jeta ime”, ka thënë Lushtaku.

Ish-kryetari i Skenderajt tha se për PDK-në është mëshiruar dhe ka qenë pjesë që nga fillimi dhe se askush nuk e ka qëllimin që ta largojë.

“Nga partia duhet të largohen e të përjashtohen me turpin më të madh 4-5 persona, të cilët e kanë bllokuar Kosovën e PDK-në dhe të cilët kontrollojnë çdo gjë në Kosovë, drejtësinë, biznesin, mediat dhe sferat tjera vitale të vendit tonë, gjë që për veprimtaritë e tyre të pista dhe rrjetet që kanë ndërtuar janë të mirëinformuar edhe miqtë tanë ndërkombëtarë”, ka shtuar Lushtaku.

Ai po ashtu tha se nuk duhet të luhen lojëra për viktimizim të figurave.

“E nuk e besoj që duhet të luhen lojëra si viktimizimi i figurave të tilla si Gjenerali Agim Çeku e të tjerë për asnjë arsye”, ka thënë në fund kryetari i PDK në Skenderaj.

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Kadri Veseli, javën e kaluar ka marrë vendim që t’i largojë  nga të gjitha pozitat partiake dhe institucionale të gjithë zyrtarët e PDK-së që kanë aktakuza të konfirmuara nga institucionet e drejtësisë dhe është përkrahur nga ndërkombëtarët.

https://kallxo.com/stuhi-ne-pdk-kadri-veseli-liron-nga-detyra-te-gjithe-zyrtaret-me-aktakuza/?fbclid=IwAR0YPWAVV1qfkPBvL8Up-i6-NI_jHbcfjbXJ07_rHVf8GQl9zPFZbFsCm0A

https://kallxo.com/apostolova-partite-tjera-te-ndjekin-shembullin-e-kadri-veselit/

EULEX-i ngriti aktakuzë ndaj 24 personave për arratisjen e Sami Lushtakut nga QKUK-ja në vitin 2016.

Aktakuza e tetorit të vitit 2016 e akuzon Sami Lushtakun dhe 23 persona të tjerë për vepra të ndryshme penale, ndërsa në mesin e të akuzuarve ka oficerë të shërbimit korrektues, mjekë e familjarë të të akuzuarve të rastit Drenica.

Lushtaku nga aktakuza e prokurorit Romulo Mateus ngarkohet për arratisje të personit të privuar nga liria.

Bashkë me Lushtakun në këtë pikë të aktakuzës akuzohen edhe Ismet Haxha dhe Sahit Jashari, ndërsa kjo vepër është e dënueshme me burgim deri në 3 vjet.

Lushtaku ishte dënuar edhe në një rast tjetër për gjuajtje me armë në odën e zv.kryeministrit Fatmmir Limaj në Banjë të Malishevës.

Ish- kryetari  Skenderajt Sami Lushtaku ishte dënuar me gjobë 1,700.00 euro.

Ai kishte aktakuzë edhe për rastin të njohur si KEK 2, e cila e ngarkonte Lushtakun për veprën penale të shtytjes në keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Bashkë me Lushtakun akuzoheshin edhe Arben Gjukaj, Driton Pruthi, Milazim Lushtaku, Esat Tahiri dhe Azem Duraku.

Ky rast lidhet me tenderin për sigurim fizik të objekteve të KEK-ut.

Ky proces gjyqësor fillimisht është gjykuar nga gjyqtarët e EULEX-it, ndërsa tani është transferuar te gjyqtarët vendorë.

Më 20 maj, Gjykata e Prishtinës i ka shpallur të pafajshëm të gjithë të akuzuarit.

KALLXO.com ka raportuar në vazhdimësi për këtë rast gjyqësor. Të gjitha raportimit mund t’i gjeni këtu.