QKUK - Foto: Atdhe Mulla

Sallat e operacionit në QKUK, punojnë me kapacitet të plotë

Të gjitha sallat e operacionit në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, përfshirë edhe Klinikën e Urologjisë,  kanë punuar dhe po punojnë me kapacitete të plota, pas furnizimit me sasi të bollshme të anestetikëve nga ana e Ministrisë së Shëndetësisë, njofton Shërbimi Spitalor Klinik Universitar i Kosovës.

“Bazuar në informatat nga drejtoria e Klinikës së Anestezionit dhe Mjekimit Intensiv, por edhe nga drejtoria e Klinikës së Urologjisë,  të  gjitha sallat e operacionit kanë punuar me kapacitet të plotë. Shkrimi i  sotëm i gazetës “Zëri”  është tendencioz dhe nuk paraqet të vërtetën, i njëjti pastaj është botuar  edhe nga portalet tjera  nuk paraqet realitetin së fundmi dhe të kësaj jave” thotë SHSKUK.

Sipas tyre evidencat  e  sallave  të operacionit në Urologji, vërtetojnë se  janë kryer të gjitha operacionet e planifikuara dhe ato urgjente. QKUK thotë se dy javët e  kaluar janë kryer 39 operacione  me anestezion të përgjithshëm dhe nuk ka dështuar asnjë operacion.

Poashtu, Barnatorja Qendrore  QKUK- SHSKUK,  konfirmon se të gjitha klinikat dhe Spitalet e Përgjithshme janë të mbuluar për tre muajt e ardhshëm në sasi të mjaftueshme me anestetikë të nevojshëm për sallat e operacionit” thotë QKUK.

“QKUK- SHSKUK,  siguron të gjithë qytetarët që kanë nevojë,  se sallat janë në funksion të plotë dhe këtë shërbim mund të marrin në çdo kohë në klinikat  dhe spitalet përkatëse që janë në kuadër të SHSKUK.” Thuhet në njoftim.

KALLXO.com kishte raportuar se si mjekët kishin ndryshuar programet operative si pasojë e sasive të caktuara të anestezionit https://kallxo.com/skandal-mungon-anestezioni-ne-qkuk-trajtohen-vetem-rastet-urgjente/