Foto: Kallxo.com

Sadri Ramabaja: Më thanë se mund të përfundoj si Astrit Dehari

Në gjykimin për plagosjen e avokatit Azem Vllasi, rast i njohur si ‘Syri i Popullit’, në seancën e së premtes janë lëshuar dy video incizime.

Këto video incizime kishin të bëjnë me udhëtimin e të akuzuarit Sadri Ramabaja në Aeroportin e Prishtinës, si dhe një video që ishte bërë në odën e Halim Halimit.

Mirëpo gjatë shikimit të CD-ve, video- incizimeve, nuk është vërejtur askund pjesa ku i akuzuari Sadri Ramabaja ishte duke qëndruar në Aeroport.

Më pas i akuzuari Ramabaja tha se interesi i tij do ishte të dallohej personi i cili e kishte paralajmëruar të largohej nga Kosova.

“Unë si kam parasysh insinuatat e prokurorisë dhe skenaristin e këtij procesi, por për mua do ishte  në  interes po të kisha mundësinë të dallohej fytyra e personit që më ka paralajmëruar, respektivisht më ka shantazhuar. Unë thjesht aty jam paralajmëruar se mund ta kem fatin e Astrit Deharit nëse nuk largohem nga Kosova për disa muaj”, tha Ramabaja.

Por kundërshtime në fjalët e tij pati prokurori Sylë Hoxha, kur tha se në video incizime nuk është vërejtur që Ramabaja ka kontaktuar me ndonjë person tjetër në Aeroportin e Prishtinës.

Mirëpo pas shiqimit të video incizimit, kryetarja e trupit gjykues, Naime Krasniqi- Jashanica, mori aktvendim me të cilin e obligoi Prokurorin Hoxha që në seancën e radhës të fokusojë sekuencat kur i Sadri Ramabaja hyn në Aeroportin e Prishtinës.

Ndërkaq në një video incizim tjetër shihet një mbledhje e cila ishte zhvilluar në odën e Halim Halimit, ku gjatë gjithë kohës flet i akuzuari tjetër në këtë rast, Ragip Sallova, ku thoshte se “ne jemi njerëz të vullnetit të mirë që punojnë për të mirën e atdheut”.

Foto: Kallxo.com

Më pas në video u pa edhe i akuzuari Murat Jashari i cili thoshte: “Do të hakmerrem ndaj atyre që në emër të votës së popullit janë pasuruar, dhe asgjë s’kanë bërë për popullin, do hakmerrem ndaj atyre në emër të luftës çlirimtare dhe në emër të gjakut të dëshmorëve”.

Pasi video incizimi u ndërpre, i akuzuari Ragip Sallova pati vërejtje lidhur me shikimin e videove duke thënë se ajo u ndërpre në momentin kur ai kishte ndërhyrë gjatë kohës kur fliste Jashari.

“Fjalimi i Murat Jasharit u ndërpre në momentin kur unë kam ndërhy, ku kam thënë se ne s’jemi për  këto biseda por për bashkimin e subjekteve politike, që ta kemi një qëllim, një gjuhë, dhe urdhërin ta marrim prej kombit dhe ne kemi një armik të përbashkët e ai është sh…” tha  i akuzuari Sallova, duke përdorur një term pezhorativ për serbët.

Ai më pas shtoi se këtë incizim e ka të ruajtur në telefon dhe do t’ia sjellë gjykatës.

Ndërkaq i akuzuari Murat Jashari tha se fjalimit të tij nuk do t’ia hiqte “asnjë presje”.

“Fjalimit tim nuk ja heki asnjë presje, ashtu ka qenë”, tha Jashari.

Më pas i akuzuari Sadri Ramabaja tha se i vie keq që drejtësia e Kosovës merret me shkarravinat e një të sëmuri psikikisht.

“Më vjen  keq që drejtësia e Kosovës merret me shkarravinat e një të sëmurit psiqikisht kur ekspertët e kësaj fushe e shpallin te tillë”, tha ai.

Seanca e radhës është caktuar për datën 15 maj.

Prokuroria Speciale kishte aktakuzë ndaj 10 personave në lidhje me këtë rast më 28 shkurt të vitit të kaluar.

Pjesë e aktakuzës janë vepra penale duke filluar nga hakmarrje, ndihma, dhunimi, përgatitja e veprave terroriste ose veprave penale kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës, mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve dhe hakmarrje.

Sipas Prokurorisë, të akuzuarit planifikonin shkatërrimin e strukturave themelore politike, kushtetuese, ekonomike apo shoqërore të Republikës së Kosovës me sulme dhe me vrasje ndaj personaliteteve më të larta shtetërore duke filluar nga ish-funksionarët e lartë të Kosovës prej vitit 1980 deri në 1991, duke i konsideruar si tradhtarë të vendit, e poashtu funksionarët nga viti 1999 deri në vitin 2016.

Murat Jashari, Avni Llumnica, Ragip Sallova, Sadri Ramabaja, Rexhep Topllana, Bajrush Konjusha, Sabit Berisha, Halim Halimi, Bexhet Luzha dhe Lirija Luzha janë pjesë e aktakuzës që i ngarkon për përgatitje të veprave terroriste ose veprave penale kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës.

Murat Jashari poashtu akuzohet për veprën penale të hakmarrjes lidhur me plagosjen e Azem Vllasit më 12 mars të vitit 2017.

https://kallxo.com/plagosja-e-azem-vllasit-deshmitari-i-mbrojtur-e-barti-seancen-ne-prizren/