Rusia, Veto Kundër Gjykatës Ndërkombëtare për Rrëzimin e Avionit

Rusia ka përdorur veton për të bllokuar një rezolutë të OKB-së për të ngritur një gjykatë ndërkombëtare mbi tragjedinë ajrore të MH17 në korrik 2014.

Ajo ishte e vetmja nga 15 anëtarë të Këshillit të Sigurisë që kundërshtoi propozimin, duke shkaktuar kritika të shumta, raporton BBC.

Fluturimi i Malaysia Airlines nga Amsterdami në Kuala Lumpur u rrëzua në Ukrainën lindore, duke vrarë 298 personat në bord, gjatë kohës së luftimeve mes Ukrainës dhe rebelëve të mbështetur nga Rusia.

Rebelët pro-rusë në zonën e rrëzimit mohuan ta kishin goditur aeroplanin.

Vendet perëndimore dhe Ukraina thanë se kishte prova që ishte goditur nga një raketë kundërajrore Buk, të cilën rusët ia kishin dhënë rebelëve, – çka është mohuar edhe nga Rusia.

“Shpërfillje e pashpirt”

Malajzia kërkoi një gjykatë ndërkombëtare për të hetuar përgjegjësit. Kjo nismë u mbështet nga Holanda – e cila kishte 196 shtetas në bord – Ukraina, Belgjika dhe Australia.

Moska ka fajësuar qeverinë e Kievit për katastrofën.

Duke folur më herët kë të muaj, Presidenti rus Vladimir Putin tha se themelimi i një gjykate do të ishte i “parakohshëm” dhe “kundërproduktiv”.

Rusia vuri veton në veprim në seancën e së mërkurës të Këshillit të Sigurisë në Nju Jork, ndërsa 11 anëtarët e tjerë e mbështetën rezolutën. Angola, Kina dhe Venezuela abstenuan.

Samantha Power, ambasadorja e SHBA në OKB, tha se pa iu dridhur qerpiku, Rusia ka shpërfillur brengën publike në vendet e goditura nga tragjedia.

Ministrja e Jashtme australiane, Julie Bishop, e quajti veton ruse një “fyerje ndaj kujtimit të 298 viktimave të MH17 dhe familjeve dhe miqve të tyre”.

Ajo tha se Australia, Malajzia, Holanda, Ukraina dhe Belgjika do të konsideronin një mekanizëm hetimor alternativ, pa dhënë detaje të mëtejshme.

Burimi: BBC